“Kush humbi banesa e bagëti do të dëmshpërblehet” Rama: Sigurimi i shtëpive e biznesve nga fatkeqësitë natyrore do të bëhet me ligj

Nga A2 CNN
4 Tetor 2025, 10:15 | Aktualitet

Të gjithë ata që humbën banesat apo bagëtitë nga zjarret do të dëmshpërblehen qindarkë për qindarkë. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në prezantimin e strategjisë së re të forcave zjarrfikëse, duke përsëritur premtimin e bërë edhe gjatë situatës së krijuar me zjarret në vend

"Dua të nënvizoj ashtu sikundër e bëmë të qartë që në momentin e vetë përballjes me zjarret, angazhimi moral dhe ligjor lidhur me banesat dhe krerët e humbur të bagëtive do të mbahet pikë për pikë. Tanimë është inventari i plotë dhe të gjithë ata që kanë humbur banesat, apo krerë bagëtish duhet të jenë të qetë për faktin që me kalimin e aktit normativ të qeverisë së shpejti, do të dëmshpërblehen qindarkë për qindarkë. Kjo besoj është shumë e rëndësishme”, theksoi kreu i qeverisë.

Rama njoftoi gjithashtu se së shpejti do të sanksionohet me ligj edhe skema e sigurimit të shtëpive e bizneseve nga fatkeqësitë natyrore.

“Të gjithë të fillojnë të marrin masa për t’u përfshirë në skemën e re të sigurimit të shtëpive nga fatkeqësitë natyrore. Do ta sanksionojmë edhe në ligj. Kemi mbetur i vetmi vend në Europë që nuk e ka një ligj të tillë. Ka ardhur koha t’i bashkohemi të gjitha vendeve duke u dhënë mundësi të gjithëve që për një kontribut modest të jenë të siguruar nga fatkeqësitë. Nuk është fjala vetëm për shtëpitë, por edhe për sipërmarrjet, bizneset të cilat duhet të sigurohen edhe nga përmbytjet, pasi koha në të cilën jetojmë është një kohë ku ndryshimet e klimës po sjellin gjithmonë e më shumë sfida të mëdha të fatkeqësive natyrore", tha Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos