Dy vizita në 5 muaj! Rama nderon me “Yllin e Mirënjohjes” presidentin e Emirateve Arabe

Nga Fjorela Beleshi
17 Korrik 2025, 14:53 | Aktualitet

Presidenti i Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed është rikthyer sërish në Tiranë në harkun e 5 muajve, pavarësisht se pak detaje janë ndarë nga zyra e qeverisë shqiptare rreth vizitës së tij.

Ka qenë vetë Presidenti i Emirateve, i cili në rrjete sociale shkruan se me kryeministrin shqiptar ka diskutuar për marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe për çështje të tjera ndërkombëtare që lidhen me sigurinë.

“Pata kënaqësinë të takohesha me Kryeministrin shqiptar Edi Rama në Tiranë, për të diskutuar mënyra për forcimin më tej të partneritetit në zgjerim mes vendeve tona. Gjithashtu shkëmbyem mendime mbi një sërë çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare, dhe riafirmuam angazhimin tonë të përbashkët për të mbështetur përpjekjet për të avancuar paqen dhe stabilitetin në dobi të të gjithëve”, tha Sheikh Muhammed Bin Zayed.

Në një material audioviziv të regjistruar më parë e të shpërndarë për mediat këtë të enjte, Edi Rama tregoi dy momente që Sheikh Muhammed Bin Zayed i ka ardhur në ndihmë popullit shqiptar, si donator i rindërtimit pas tërmetit të 2019 në Shqipëri ashtu si edhe gjatë luftës në Kosovë.

“Ju ishit atëherë një oficer i ri ushtrie që zbarkuat në pistën e ngritur nga babai juaj në veri të vendit tonë, për të mundësuar mbërritjen e avionëve me ndihma për qindra e mijëra refugjatë lufte. Ishit ju vetë që më treguat si ju telefononte çdo mbrëmje për t’u siguruar që refugjatët ushqeheshin dhe trajtoheshin njëlloj pa dallim feje, si të barabartë para Zotit. Nuk do ta harroj kurrë që kur erdha te ju pas tërmetit shkatërrues, që la mijëra familje pa strehë, më morët dorën dhe më thatë: ‘Vëlla, ti dhe populli yt nuk jeni vetëm!’. Dhe sot, një lagje e re e bukur me mbi një mijë apartamente ngrihet si dëshmi se gjithçka që thoni e mendoni me të vërtetë”, tha Rama.

Në shenjë nderimi për këtë angazhim vëllazëror, Kryeministri i Shqipërisë i dorëzoi Presidentit të Emirateve Arabe Yllin e Mirënjohjes Publike.

“Në emër të Republikës së Shqipërisë, me respekt të thellë dhe mirënjohje, ju dorëzoj Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike. E kuqja dhe e zeza e shiritit tonë nuk janë vetëm ngjyrat kombëtare këto ngjyra frymëzuan një himn të shkruar një shekull më parë nga një poet i madh shqiptar, një peshkop ortodoks e njëherazi. Një flamur që lindi Kostandinin e Shenjtë, Bashkon Kryqin dhe Shenjën e Gjysmëhënës, Shpall të gjitha besimet si vëllezër hyjnorë, një flamur fisnik për njerëzimin mbarë. Ylli i këtij Urdhri, me formë të mprehtë, frymëzohet nga vula e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut dhe nga 36 shkronjat e alfabetit tonë.”

Kjo është vizitë e dytë brenda këtij viti e Presidentit të Emirateve të Bashkuara arabe në Tiranë. Edhe shkurtin e kaluar ai qëndroi pak orë në Shqipëri, ndërsa takimi i tij me Kryeministrin Rama u shoqërua vetëm me disa foto të ndara në rrjetet sociale, duke ruajtur një vello misteri të arsyeve që e sjellin në vendin tonë.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos