Vlogerja Ejona Blaceri, në një lidhje direkte me studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN, tregoi shkaqet e aksidentit fatal të bashkëshortit të saj.
“Kemi qenë në Pogradec, pasi kemi 3 vite që jemi kthyer nga Zvicra. Ishte një ngjarje shokuese për të gjithë. Në bisedën e fundit që bëra me të, më tha që ishte në Elbasan dhe po kthehej në shtëpi. 80% më kanë thënë që mund ta ketë zënë gjumi, sepse ka qenë ora 4 ose 5 e mëngjesit. Pak më parpara më kishte thënë edhe që i merreshin mendtë”, tha Ejona Blaceri.
Sipas saj, “kur ndodh diçka e tillë ose do rrëzohesh dhe nuk je më as për djalin, ose do ngrihesh dhe do i japësh forcë vetes”.
“Dua t’i them të gjithë njerëzve që duhet t’i lënë mënjanë të gjitha inatet sepse vetëm kur njeriu ikën e kupton sa të mungon”, theksoi Ejona Blaceri. (A2 Televizion)