Nga hekurudhat tek aeroportet dhe portet, Rama shpalos projektet e infrastrukturës së Belinda Ballukut

Nga A2 CNN
9 Mars 2026, 11:57 | Aktualitet

Duke vlerësuar punën e bërë nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, Rama tha se mjafton një udhëtim pas në kohë për të kuptuar punën kolosale në infrastrukturë. Ai prezantoi një përmbledhje të projekteve infrastrukturore të realizuara dhe atyre që janë në proces.

Rama u ndal veçanërisht tek zhvillimi i rrjetit hekurudhor, duke deklaruar se qeveria ka një plan konkret për ndërtimin e rreth 530 kilometrave hekurudhë sipas standardeve të Bashkimit Europian, të elektrifikuara dhe të integruara në rrjetin europian.  

Rama njoftoi se linja hekurudhore Durrës–Tiranë–Aeroporti i Rinasit është aktualisht në ndërtim dhe pritet të nisë operimet në fillim të vitit të ardhshëm me 12 stacione përgjatë saj.

“Çdo mendje e lirë nga urrejtja politike, i mjafton vetëm një udhëtim pas në kohë për të pranuar pa asnjë gajle punën kolosale që është bërë. Për të rindërtuar infrastrukturën hekurudhore nga hiçi ku e katandisi liri-demokracia, duhet një reputacion, një situatë ekonomike dhe mundësi financimi që deri dje Shqipëria nuk e kishte. Tani nuk kemi vetëm një synim por një plan konkret për të ndërtuar rreth 530 km hekurudhë sipas standardeve të BE të elektrifikuar dhe integruar, projekte konkrete. Hekurudha Durrës-Tiranë-aeroporti i Rinasit, do të jetë linja e parë e elektrifikuar në vend me 12 stacione që do të nisë operimet në fillim të vitit të ardhshëm. Hekurudha Vlorë - Hani Hotit është në proces prokurimi, ndërtimi pritet të nisë në fund të këtij viti dhe do të përfundojë në vitin 2030. Ka përfunduar me bashkëpunim me Kosovën studimi i fizibilitetit dhe projekti paraprak për hekurudhën e kombit, Durrës-Prishtinë me gjatësi 105 km, 4 tunele dhe 43 ura. Në takimin e fundit me Kurtin kemi folur dhe për 2 pista financimi të huaj”, tha Rama.

Në sektorin e aviacionit, Rama theksoi rritjen e ndjeshme të trafikut ajror në Aeroportin Nënë Tereza, i cili sipas tij ka arritur 11.6 milionë pasagjerë në vitin e fundit dhe ofron 80 destinacione me 27 linja ajrore. Ai theksoi se Aeroporti i Vlorës është drejt përfundimit dhe pritet të sjellë fluturime transoqeanike dhe shërbime të reja për aviacionin.

"Një strategji reale, funksionale, kombëtare e aviacionit civil, e fokusuar në infrastrukturë, në konkurrencë dhe në ndërlidhje, që e ka rritur aksesin e qytetarëve në aviacion. Nga 13% që ishte në vitin 2019 në 34% që është sot. Liberalizimi i tregut ajror ka sjellë operatorë të rinj duke ulur çmimet e biletave, duke rritur numrin e fluturimeve direkte nga Tirana dhe duke e bërë Tiranën pikën kyçe të aviacionit rajonal. Kur të fluturohej nga Shqipëria apo për Shqipëri biletat ishin më të shtrenjtat në Europë. Sot kemi aeroportin më të madh në kapacitet pasagjerësh në Ballkanin Perëndimor dhe prej vitesh e kemi lënë pas aeroportin rajonal të Beogradit, i cili ka qenë aeroport kur Rinasi ishte një pistë me një terminal që ishte më i vogël se kjo salla këtu. Aeroporti i Tiranës sot ka 80 destinacione dhe 27 linja ajrore duke arritur të përpunojë në vitin që sapo u mbyll 11.6 6 milionë pasagjerë, 247% më shumë krahasuar me vitin 2019.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është në fazën përfundimtare të ndërtimit dhe do të fusë në Shqipëri përveç fluturimeve transoqeanike edhe modele të reja biznesi të aviacionit, kargon edhe mirëmbajtjen e avionëve gjë për të cilën është nënshkruar edhe marrëveshja”, vijoi kryeministri.

Rama foli edhe për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, që do të trefishojë kapacitetet aktuale dhe do të shoqërohet me krijimin e një zone të lirë ekonomike dhe një parku logjistik, duke e kthyer zonën në një nyje strategjike për rajonin. Sipas tij, këto projekte synojnë të forcojnë rolin e Shqipërisë në transportin rajonal dhe lidhjet me tregjet europiane.

"Ndërtimi i portit të ri tregtar dhe ushtarak me një krah në porto Romano parashikon trefishimin e kapaciteteve për punuese aktuale dhe krijimin e një zone të lirë ekonomike parku logjistik ndërkohë që hap rrugën e dy porteve të reja të thata në Prishtinë dhe në Shkup duke krijuar një nyje të re me fuqi strategjike dhe logjistike të konsiderueshme. jo thjesht për rajonin, por dhe si një vlerë e shtuar për Bashkimin Europian dhe NATON. Dhe dua të them këtu dy fjalë për Porto Romanon. Është një nga proceset më të ndërlikuar, ndoshta më i ndërlikuari që ne kemi bërë. Është një plan strategjik që ka krijuar edhe xhelozi. Xhelozitë janë të zakonshme mes vendesh që janë në stade të caktuara zhvillimi. një proces shumë i sofistikuar me projektin e studios më të madhe në botë dhe me reputacionin më absolut në botë për ndërtimin e infrastrukturës dhe sidomos të asaj portuale Roasconic nga Hollanda. një garë e jashtëzakonshme me pjesëmarrje nga të gjitha anët. Ata që e luftojnë projektin dhe s'po lënë gurë pa luajtur për ta bllokuar projektin, ne i dimë kush janë dhe i kanë bërë llogaritë gabim sepse projekti do bëhet. Investimet e tjera në proces përfshinë dhe transformimin e triportit në Vlorë, në një port mirëfilltë tregtar i shumë munguar për Vlorën dhe ndërtimin e katër marinave turistike në Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin”. U shpreh Rama.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos