Ndërsa Policia e Shtetit ka hapur disa gara për pozicione drejtuese në strukturat e saj, një ndër postet më të rëndësishme, ai i Drejtorit të Departamentit të Policisë Kriminale mbetet ende jashtë procesit të konkurrimit. Postin e Drejtorit të Policisë Kriminale vijon ta mbajë Neritan Nallbati, ndërsa gara për këtë pozicion nuk është hapur, në kundërshtim me përcaktimet e ligjit për Policinë e Shtetit.
Sipas këtij ligji, çdo drejtues në nivelet e larta duhet të përzgjidhet përmes një procesi transparent dhe me konkurrim të hapur dhe të zhvilluar në të njëjtën kohë. Policia e Shtetit ka njoftuar hapjen e aplikimeve për disa drejtori të tjera. Në listën e shpallur përfshihen Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, Departamenti për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, si dhe drejtoritë vendore të policisë në Elbasan dhe Shkodër. Më parë është zhvilluar garë për departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike, ku fitues u shpall Dhimitraq Ziu.
Në Elbasan, vendi është liruar pas dorëheqjes së Fatmir Hoxhës, ndërsa në Shkodër pas shkarkimit nga detyra të drejtorit të mëparshëm Fatmir Lleshaj, më 10 korrik, ku vijon të jetë i komanduar Gentian Berberi.
Faza e aplikimeve do të jetë e hapur nga data 3 deri më 11 nëntor, dhe në proces mund të marrin pjesë punonjës të policisë që mbajnë grada të nivelit drejtues.
Megjithëse procesi i konkurrimit është hapur për disa drejtori kyçe, mos përfshirja e Policisë Kriminale ngre pikëpyetje mbi kriteret dhe transparencën e ndjekur në këtë fazë përzgjedhjeje. Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit apo Drejtoria e Përgjithshme lidhur me këtë vendim.
(A2 Televizion)
