Projektligji i ri, të njihet për herë të parë dhuna ekonomike në familje

Nga A2 CNN
7 Tetor 2025, 17:40 | Aktualitet

Projektligji i ri, të njihet për herë të parë dhuna

Një draft i ri ligjor, i hedhur për konsultim publik me titull “Për parandalimin dhe mbrojtjen ndaj dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”, synon të sjellë një qasje të re në mbrojtjen e viktimave, duke e vendosur pavarësinë ekonomike në qendër të politikave shtetërore.

Për herë të parë, projektligji e njeh dhunën ekonomike si një formë të veçantë abuzimi, duke e përkufizuar si çdo veprim që kufizon të drejtën e një personi për të punuar, për të pasur të ardhura, për të administruar pasurinë ose për të siguruar jetesën e pavarur. Ky ndryshim vendos aspektin financiar në zemër të debatit mbi dhunën ndaj grave, duke nënvizuar se varësia ekonomike shpesh është arsyeja kryesore që mban viktimat në marrëdhënie abuzive.

Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e një rrjeti të koordinuar shërbimesh mes bashkive, qendrave sociale, organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të drejtësisë. Viktimat do të kenë të drejtë për strehim emergjent, ndihmë psiko-sociale dhe asistencë ligjore falas, ndërsa fëmijët e përfshirë në raste dhune do të konsiderohen viktima të drejtpërdrejta.

Zbatimi i këtij ligji do të kërkojë fonde shtesë publike në buxhetet vendore dhe qendrore, si dhe hapësira të reja punësimi për punonjës socialë, psikologë dhe juristë që do të jenë pjesë e mekanizmave të mbrojtjes. Ekspertët theksojnë se kostoja e mosveprimit është shumë më e lartë, pasi dhuna ndaj grave shkakton humbje produktiviteti, rrit shpenzimet në shëndetësi dhe ndihmë sociale, si dhe ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit, shkruan A2 CNN.

Në këtë mënyrë, projektligji synon jo vetëm mbrojtjen, por edhe fuqizimin ekonomik të grave, duke e lidhur barazinë gjinore me zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e shoqërisë.

Ndërkohë, për rastet e keqpërdorimit të imazheve intime pa pëlqim, përndjekjes digjitale dhe gjuhës së urrejtjes online, projektligji i jep Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të drejtën të vendosë gjobë administrative nga 50 000 deri në 500 000 lekë për çdo 24 orë vonesë në rastet kur ekzekutimi i një mase të vendosur nga gjykata vonohet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos