“Çështjet e pronave nuk kanë afat në ligj dhe prandaj lihen për në fund. Janë çështje që marrin 15 vite”.
Kështu u shpreh Gerti Shella në studion e “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN. Sipas tij, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shtuar problemet e sistemit.
“A nuk mendon KLGJ-ja që ka diçka që nuk shkon me vendimin e saj për pezullimin e skemës së delegimit të gjyqtarëve? Sepse Apeli ka nevojë për gjyqtarë. Numri i çështjeve nga viti 2023 që ishte 32, sot në vitin 2025 ka shkuar 50 mijë dosje. Pra, strategjia të ka rënë, masat që kishe parashikuar kanë dështuar, gjyqtari t’u vra... A ka diçka për të shpallur gjendjen e emergjencës? As kurajo për ta shpallur ditë zie kombëtare nuk patën sot”, tha Shella.
“Këto 50 000 dosje kanë 30 gjyqtarë. Që i bie një gjyqtari të merret me mbi 1600 dosje. Kjo bën që dosjet të qëndrojnë aty deri në 10 vjet. Është edhe çështje infrastrukture përveçse burimesh njerëzore, pasi ka vetëm 7 salla gjykimi. Gjysma e gjyqtarëve rrinë nëpër zyra, në pamundësi për t’u futur të gjykojnë. Këto probleme janë zmadhuar nga veprimet e KLGJ-së”, shtoi Shella.
“Çështjet e pronave nuk kanë afat në ligj dhe prandaj lihen për në fund. Janë çështje që marrin 15 vite. Kalvari vazhdon edhe kur fiton gjyqin”, theksoi më tej Shella. (A2 Televizion)