Aktivisti Florjan Binaj, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se në Shqipëri largohen specialistët dhe merren në punë të paaftët.
“Nëqoftëse popujve europianë u derdhet shumë shpejt kupa dhe reagojnë, neve vazhdon mbushet, mbushet, mbushet, mbushet, mbushet dhe reagojmë shumë vonë. Këto që po ndodhin nuk duhet t'i quajmë fatkeqësi natyrore. Këto janë fatkeqësi njerëzore dhe janë totalisht të shmangshme, por nëqoftëse ne i bëjmë qytetet, të marr një rast të krahasuar si të dali një njeri para një ujëvare, të hapi gojën, të fusi gjithë ujin e ujvarës në trup dhe të presi që fshikëza e tij të përballojë gjithë ujin dhe të dali. Kjo kjo nuk ka sens, nuk mund të ndodhi. Dhe përveç kësaj, në 30 vitet e fundit ka humbur simbioza midis arkitekturës dhe urbanistikës. Nuk ka më simbiozë. Unë nuk kam dëgjuar më të vijnë urbanistë të famshëm ndërkombëtarë. Këtu vijnë vetëm arkitektë të famshëm ndërkombëtarë, me disa projekte që kur ne ishim studentë në arkitekturë po t'i bënim ne ato, do na kapnin për veshi profesorët e do na nxirrnin jashtë”, tha Binaj.
“Nga ana tjetër ka humbur edhe respekti ndaj natyrës. Njerëzit nuk jetojnë dot pa natyrën, por natyra jeton shumë mirë dhe ka jetuar shumë mirë pa njerëz. Madje, jeton edhe më mirë pa njerëzit. Ne në të gjithë këto vite kemi bërë një lloj shkëputje nga natyra dhe kemi bërë sikur natyra është një fenomen që kur na duhet ne e marrim, kur s'na duhet neve e shtyjmë. Dhe pikërisht sepse në këto 30 vite në vend që të mbajmë në pëllëmbë të dorës ata specialistë të të gjitha profesioneve, ne i kemi larguar dhe kemi marrë këta njerëzit e paaftë se kanë kosto më të vogël dhe dinë të thonë “PO” edhe atëherë kur s'duhet. Ndërkohë që një profesionist di të thotë “JO”. Nëqoftëse një specialist dikur bënte gabim, e hiqnin nga puna dhe nuk hapte më asnjë derë. Këta që janë të paaftë, që edhe te Temu do kishim gjetur ndonjë më të hajrit, i heqin nga një institucion dhe i fusin te një tjetër dhe vazhdon çdo gjë siç ka qenë nga fillimi”, shtoi Binaj. (A2 Televizion)