Një banor i Durrësit, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, ngriti alarmin në lidhje me situatën e shkaktuar nga moti i keq në qytetin bregdetar.
“Unë jam një nga banorët e zonës së ish-kënetës. Që në mëngjes uji nuk ka ndaluar dhe akoma po shtohet. Siç e shihni vetë, është mbushur edhe rruga si asnjëherë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që të mbushet rruga kështu. Dhe banorët si nga njëra anë, si nga ana tjetër, janë të gjithë duke u përmbytur dhe se ku do shkojë ky fati jonë, nuk e di. Asnjë nuk lëviz. Shteti e ka në terezi. Ne të shkretët mbytemi dhe në fund nuk japin asnjë dorë. As për të investuar, as për t'u marrë me popullin. Nuk ka ardhur asnjeri për t'u marrë, as për t'u interesuar se si kanë hallet, a janë mbyt, a janë gjallë, a kanë vdekur. Nuk e di se si do shkoj kjo situate”, deklaron banori.
“Unë jam vetë i treti dhe unë i kam lëviz. Kam vëllain, kam motrën, kam xhajën që janë evakuuar të gjithë, janë larguar nga banesat. S'kemi ku rrimë se është bërë një katastrofë. Domethënë, kjo është gjë natyrore, por ka dorë dhe njeriu këtu, jo vetëm natyra. Për momentin, ne jemi “Zoti bëftë mire”. Pastaj, autoritetet duhet të vejnë dorë sa më shpejt që të na gjenden pranë të gjithëve, se nuk jemi vetëm ne këtu, është e gjithë Këneta duke marrë dhe Spitallen. Ne jemi gjithë kohës jashtë sonte, do rrimë gatishmëri. Shteti duhet të vejë dorë. Po nuk vuri dorë shteti, jemi të detyruar ne që të ngrihemi dhe këtë shtet ta hedhim poshtë, sepse nuk qenka për ne”, shtoi banori.
Sipas tij, kjo është hera e tretë brenda vitit që përmbyten.
“Ka shkuar gati 30 mijë euro dëm. Absolutisht nuk ka ardhur asnjeri për dëmshpërblim. Asnjë grup s'ka ardhur. Si do shkojë ky halli jonë, as vetë nuk e dimë. Vetëm Zoti bëftë mirë. I ftojmë gjithë banorët e Durrësit dhe të Kënetës, Spitalles e të gjithë zonat përreth që të bëhemi të gjithë bashkë dhe t'i japim drejtim këtij vendi, sepse me këtë shtet që kemi nuk kemi gjë në terezi”, shtoi më tej banori.
(A2 Televizion)