Uji përmbyt 30 banesa në lagjen 17 të Durrësit, banorja tregon pamjet

Nga A2 CNN
6 Janar 2026, 18:55 | Aktualitet

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të rënda në lagjen 17 të qytetit të Durrësit, ku rreth 30 banesa janë përfshirë nga uji. Fabiola Elezaj, një qytetare e kësaj lagjeje ka treguar me detaje situatën e vështirë në banesën e saj, përmes pamjeve të transmetuara në “Ditarin me Bruna Çifligun” në A2 CNN.

Sipas dëshmisë dhe pamjeve që ajo solli në A2 CNN, uji ka nisur të hyjë në banesë që prej orës 06:00 të mëngjesit, duke arritur deri në 60 cm para oborrit të saj dhe në rrugë deri në 80 cm.

“Jemi në Rrugën Tropoja në lagjen 17 të Durrësit. Ju tregoj pamjet e oborrit. Kati i parë është përmbytur totalisht. Gjithçka është e pushtuar nga uji që nga ora 6 e mëngjesit ka filluar pushtimi i ujit dhe niveli i ujit sa vinte e ngrihej. Në rrugën kryesore mund të jenë 80 cm kurse në oborrin tim i kalon 60 cm”, tha ajo për A2 CNN.

Sipas saj, kati i parë i banesës së saj shërben si qendër sociale për fëmijët me spektër të autizmit, dhe si pasojë e përmbytjes, ambientet dhe pajisjet janë dëmtuar rëndë.

“Kati i parë është qendër sociale për fëmijët me spektër të autizmit. Gjithçka është dëmtuar. Katet e para të 30 banesave janë totalisht të përmbytura”, theksoi ajo në A2 CNN.

Deri në mesditë, deklaroi për A2 CNN Fabiola Elezaj, asnjë përfaqësues i emergjencave civile nuk kishte kontaktuar banorët e zonës. Sipas saj, kjo situatë është e përsëritur dhe ndodh pothuajse sa herë që ka reshje intensive në Durrës.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos