Injoranca dhe korrupsioni ka shkatërruar infrastrukturën ujore në Shqipëri. Kështu është shprehur në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, profesori Lush Susaj, i cili kashp[rehur shqetësimin për situatën e krijuar në vend pas reshjeve të ditës së sotme ku Durrësi, Lezha Shkodra dhe Gjirokastra u përmbytën. Në A2 CNN ai tha se kjo është pasojë e keqmenaxhimit, korrupsionit dhe shkatërrimit të sistemit të bonifikimit dhe jo fatkeqësi natyrore.
“Është tepruar në mënyrë të llahtarshme me korrupsion dhe injorancë. Shqipëria ka 99% të territorit mbi nivelin e detit dhe është shumë e lehtë për t’u bonifikuar. Ka disnivel të mjaftueshëm për të çuar ujërat në det, por janë shkatërruar argjinaturat dhe nuk pastrohen grykëderdhjet e lumenjve, siç ishin para viteve ’90”. Të gjitha ndërmarrjet e bonifikimit i shkatërruan nuk ka shanse të dëgjohen fjalët e specialistit në këtë vend”, u shpreh ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Ai e krahasoi situatën në Shqipëri me Holandën, një vend nën nivelin e detit, që sipas tij ia del falë planifikimit profesional dhe vlerësimeve reale të ndikimit në mjedis.
“Holanda që është nën nivelin e detit ia del, se vlerësimi i ndikimit në mjedis nuk e bëjnë patronazhistët dhe injorantët. Po fute injorancë e korrupsion unë e shoh gjithkund, në bujqësi, shëndetësi e arsim. Jemi vendi më i rrënuar në botë dhe përmbytjet nuk e ka shkaktuar natyra por ndërhyrjet brutale nga injorantët”, deklaroi Susaj.
Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, ai tha se Shqipëria ka rreth 546 vepra ujore, të ndërtuara me vështirësi të mëdha, të cilat shërbejnë për ujitje gjatë verës, por që sot janë të papastruara dhe të amortizuara.
“546 vepra ujore të ndërtuara me një mijë halle që gjatë verës shërbejnë për ujitje dhe ka qenë 76% e tokës bujqësore ka qenë e ujshme, ndërsa tani janë të papastruara. Dhe kjo është dhimbje e madhe. kjo më dhemb se është fusha ime”, theksoi ai. (A2 Televizion)