
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, po ndjek nga afër situatën e përmbytjeve në qytetin e Durrësit, ku Forcat e Armatosura vijojnë të jenë të angazhuara intensivisht në terren për përballimin e emergjencës.
Në Durrës janë angazhuar 23 efektivë dhe 8 mjete të Bazës së Mbështetjes për Emergjencat Civile, ndërsa aktualisht janë në operacion 7 motopompa, prej të cilave 4 me kapacitet të lartë, për largimin e ujit dhe menaxhimin e situatës së krijuar.

Mjetet dhe efektivët po operojnë në zonën e Shkozetit, në autostradën Durrës–Tiranë dhe në rrugën e Burgut. Ndërkohë, në Unazën e Durrësit vijon puna intensive për largimin e ujërave, në koordinim të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe me angazhimin e mjeteve të Komandës Mbështetëse.
Forcat e Armatosura mbeten në gatishmëri të plotë për garantimin e sigurisë së qytetarëve, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se të gjithë personat, banesat e të cilëve janë prekur nga përmbytjet, do të akomodohen përkohësisht në Konvaleshencë, deri në stabilizimin e plotë të situatës. (A2 Televizion)