Eksperti flet për mishin e kultivuar: Mund të ndikojë te ADN-ja jonë

Nga A2 CNN
6 Maj 2026, 09:57 | Aktualitet

Eksperti flet për mishin e kultivuar: Mund të ndikojë te ADN-ja

Eksperti i sigurisë ushqimore, Alban Zusi, deklaroi se “nëse ne vendosim të mos konsumojmë më mish, duke mos marrë aminoacidet që marrim prej tij, atëherë po i kufizojmë vetes diçka”.

“Me organizmin tonë mund të ndodhë diçka pas disa vitesh nëse heqim dorë nga mishi, mund të ndodhë te brezat e ardhshëm, mund të ndikojë në ADN-në tonë. Mishi i kultivuar nuk është mish. Ai është një përzierje produktesh bimore. Ky mish është për të kënaqur kategorinë e vegjetarianëve, për të kapur një segment të caktuar të tregut, është një zgjidhje tregtare. Nëpër panaire ky lloj segmenti zë 3-4% të sipërfaqes së panairit. Nuk është se po kthehet në trend”, tha Zusi i ftuar në studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN.

“Nuk mundet të jetë trend sepse është në natyrën njerëzore. Ti nuk mund ta bësh një kalë apo një lopë që të hajë mish. E ka bërë Perëndia që të ushqehet me bar; Luanin ti nuk mund ta ushqesh me pazi e me rrepa. E ka bërë Perëndia që ai duhet të jetë mishngrënës. Ndryshe ai nuk jeton. Kafshët nuk kanë ndryshuar trendet e tyre. Pse duhet t’i ndryshojmë ne? Ne duam të vendosim këto lloj gjërash dhe nuk bëjmë mirë. Nuk jam kundër krijimit të produkteve të reja, por ai duhet identifikuar jo si mish. Në momentin që ti e deklaron aty “hamburger vegjetal” nuk ka asnjë lloj problemi. Njerëzit bëjnë zgjedhjen e tyre. E rëndësishme është mos t'i gënjejmë njerëzit dhe t'ju themi që po hajnë mish. Kjo nuk duhet bërë”, shtoi eksperti.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos