
Banorët e Arapajt në Durrës kanë denoncuar sot një rast problematik me një familje që e kanë fqinje. Pas më shumë se 20 ankesave në polici, ata nuk marrë asnjë zgjidhje dhe sot kanë dalë në protestë. Sipas tyre, bëhet fjalë për dy të rinj që prej më shumë se 6 muajsh bëjnë manovra në rrugë dhe kërcënojnë banorët.
Në një deklaratë për gazetaren Elitjona Doko të A2 CNN, Algerta Omeri, deklaron se është plagosur me thikë nga fqinja, studente e policisë. Ajo bën të ditur se edhe dje vajza me gjithë nënën e saj e kanë kërcënuar me thikë, por policia ka marrë atë mbrëmë si të akuzuar.
“Isha duke ikur për në punë. Më doli vajza bashkë me mamin e vet, më kërcënuan me thikë, më shkulën flokët. Arsyeja ishte se i doli mamit dhe nuses së vëllait i kërcënoi. Unë i thashë pse u flet se ti je në gabim dhe më edhi më kërcënoi. Dhe mbrëmë isha në polici e akuzuar sikur i kam dalë unë me thikë. Unë isha në shtëpi isha në gjumë erdhi më mori policia. Goca me gjithë maminë vet më kanë kërcënuar me thikë”, tha ajo për A2 CNN.
Një tjetër banore rrëfen frikën e fëmijëve të saj dhe pasigurinë në rrugë për shkak të manovrave të rrezikshme prej tyre.
“Ec rrugëve na shtypin, rri në shtëpi shumë keq, duke ndenjur në shtëpinë tonë, ata bëjnë xhiro. Nuk e di pse janë kaq problematikë kanë 2-3 vjet që kanë ardhur. Përnatë e përditë po shkojmë në polici asgjë nuk po na bëjnë. Nuk e dio ca paska ai atje te policia jemi shumë të shqetësuar. Do na vrasin kalamajtë do vritemi. Ju lutem merrni masat”, apelon ajo në A2 CNN.
Ndërsa një tjetër banor tregon se asnjë masë nuk është marrë nga policia pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme.
“Këtu është skandal. Po del një bishë tjetër, faqja e zezë. 20 herë në polici, na mban 4-5 orë në hallin e punën tonë. Çfarë t’i bëjmë? Ta vrasim”. (A2 Televizion)