Doni të lini një testament? Avokatja tregon procedurat

Nga A2 CNN
6 Maj 2026, 10:34 | Aktualitet

Trashëgimia e pasurisë te fëmijët, familjarët apo persona të tjerë shpesh është bërë burim konflikti pasi një njeri ndahet nga jeta. Nuk janë të pakta rastet e përplasjeve mes familjarëve për ndarjen e pasurisë së babait apo nënës, edhe në rastet kur familjari i ndjerë ka lënë testament.

Avokatja Elona Berki shpjegoi në “Dita jonë” në A2 CNN procedurat për të formuluar një testament të saktë, që mund të ndihmojë sa më shumë shmangien e përplasjeve të fëmijëve apo familjarëve të tjerë.

Sipas saj, testamenti mund të bëhet në dy mënyra: testament noterial dhe testament holograf. “Testamenti noterial realizohet kur paraqitemi te noteri dhe, me ndihmën e tij, hartohet dokumenti që përmban elementët kryesorë që duhet të ketë një testament: data, vendi, firma në fund dhe të dhënat e identifikimit të personit, të cilat janë thelbësore. Më pas, disponimi bëhet sipas vullnetit të personit”, shpjegoi avokatja.

Testamenti është individual dhe i fshehtë. “Ka persona që thonë: “Ne, si burrë dhe grua, duam t’ua lëmë fëmijëve.” Por kjo nuk është e mundur, sepse testamenti është individual; nuk mund të bëhet testament i përbashkët. Pra, shprehen dëshirat e një personi. Mund të bëhen dy testamente të ndara, por jo një i përbashkët”, shtoi ajo.

Ndërsa mënyra tjetër është testamenti holograf, i cili shkruhet plotësisht me dorën e vetë personit. “I gjithë teksti duhet të jetë me shkrimin e tij dhe të jetë i firmosur. Ai duhet të përmbajë të njëjtët elementë që përmendëm më parë që të jetë i vlefshëm. Më pas, firmoset dhe depozitohet te noteri në një zarf të mbyllur”, tha ajo.

Pasi plotësohet, testamenti ruhet në arkivin e noterit deri në momentin e vdekjes së personit dhe hapet vetëm kur një person me interes legjitim për çeljen e trashëgimisë paraqitet te noteri për ta hapur atë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos