Europa “çmendet” pas kërpudhës që rritet në Pukë

Nga Armend Pire
5 Tetor 2025, 19:31 | Aktualitet

Kërpudha “porçini” e njohur për vlerat e saj ushqyese dhe aq shumë e kërkuar nga tregjet europiane është ekonomia bazë për shumë familje në Pukë. Banorët për çdo vjeshtë e mbledhin këtë kërpudhë në pyjet e Pukës si dhe në bjeshkë, kryesisht në malin e Tërbunit. Historinë e familjeve pukjane e solli për shikuesit gazetari Armend Pire, në ciklit e reportazhit "Hotspot" në A2 CNN.  Çdo kilogram tregtohet sipas cilësisë, deri në 600 lekë cilësia e parë, ndërkohë që disi më e mirë është cilësia e dytë e kësaj kërpudhe. Marie Bardhoshaj është 70 vjeçe dhe prej vitesh ajo del për të mbledhur kërpudha. Thotë se vetë nuk e konsumon kërpudhën porçini por gjen kënaqësi kur grumbulluesit e vlerësojnë punën e saj.

"Dal për çdo vit për të mbledhur kërpudha. Është ndihmë e madhe për ne në Pukë pasi ekonomia jonë është e dobët. Dal 7 orë, 8 orë për të mbledhur kërpudha. Edhe kur nuk mbledh shumë, dal prapë ditën tjetër. Pak sot pak nesër, e krijojnë një fitim të mirë. Vetë nuk i kam konsumuar kurrë, nuk më pëlqejnë por thonë se ka treg dhe e duan dhe turistët" - tregon e moshuara për emisionin Hotspot në A2 CNN.

Edhe të tjerë pukjanë tregojnë se gjatë vjeshtës merren me mbledhjen e kërpudhës. Thonë se fitimet janë të kënaqshme për një qytet, ekonomia e të cilit nuk premton shumë.

"Kemi vite që mbledhim kërpudha. Dalim çdo ditë, dikush në bjeshkë, sipër në mal, e dikush në pyjet e qytetit. E kërkojnë shumë dhe ne si banorë na ndihmon nga ekonomia. Për 1 muaj, 1 muaj e gjysmë një familje mund të marr deri në 3 mijë euro, "të buta" si i themi ne pukjanët" - tha banori Ismet Hoxha për A2 CNN.

"Unë dal me mamin. Punojnë gjatë kësaj periudhe me kërpudhat. Ja vlen pasi nuk kemi punë tjetër dhe për ne është ekonomi e mirë" - tha banorja Ridjana Mehmeti.

Kastriot Kukaj është një nga grumbulluesit e kërpudhës porçini në Pukë. Ai tregon sesi kërkesa e lartë për treg të kësaj kërpudhe kthehet e papërballueshme për banorët. Kërpudhën e tregton kryesisht në Tiranë, Shkodër e Lezhë, teksa nuk mungojnë edhe rastet e eksportit.

"Italianët, zviceranët por edhe vende të tjera të Europës e kërkojnë shumë si kërpudhë. Është "kampione" për kuzhinë. Në sezonet në të mira banorët mbledhin 300-500 kilogramë kërpudha në ditë. Ne e marrim me 600 lekë, por në tryezat e europianëve mund të shkojë dorë pas dore edhe 40-45€. Ka shumë kërkesë por ne nuk furnizojmë dot tregun vendas. Kryesisht çojmë në Tiranë, por edhe Shkodër e Lezhë si dhe në disa qytetet me turizëm të lartë" - thotë grumbulluesit për A2 CNN.

Në kuzhinën pukjane kërpudha porçini ka disa vite që gatuhet, e shtyrë kryesisht nga kërkesa e turistëve. Shumë italianë vizitojnë veçanërisht Pukën për shkak të kërpudhës porçini, e madje i kanë mësuar edhe si ta gatuajnë.

"Në fillim nuk kemi ditur ta gatuajnë. Me shtimin turizmit kemi nisur ta gatuajnë. Turistët italianë e preferojnë me pastaj, ne e servirim edhe me fileto pule dhe pana në furrë. Ka disa mënyra gatimi tashmë se turistët e pëlqejnë shumë. Ka kanë mësuar edhe ne sesi ta gatuajmë më mirë" - tregon Nora Avdia, kuzhiniere në një bujtinë në Pukë, për A2 CNN.

Emigrimi masiv dhe braktisja e Pukës ka bërë që kërpudha porçini të mbetet në pyll pa u mbledhur. Kryesisht janë të moshuarit që dalin për të mbledhur dhe banorët që nuk kanë një punësim të qëndrueshëm. Pukjanët shprehen të kënaqur nga kjo lloj pune pasi i siguron të ardhura për të kaluar pjesën tjetër të vitit.

Emisioni Hotspot, nga gazetari Armend Pire, sjell çdo të shtunë, në orën 14:30 në A2 CNN nëpërmjet një cikël reportazhesh Shqipërinë ndryshe. I ndërtuar mbi bazën e rrëfimeve unike, ku personazhet tregojnë sukseset e punës së tyre, traditën shqiptare, mikpritjen si dhe mundin e përditshëm. Rrëfime ekskluzive dhe personazhe që vijnë për shikuesit në një mënyrë të thjeshtë të të rrëfyerit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos