Fierza, drejt “pikës së vdekjes”,  KESH detyrohet të importojë energji

Nga A2 CNN
18 Shtator 2025, 09:35 | Aktualitet

Fierza, drejt “pikës së vdekjes”,  KESH detyrohet

Në hidrocentralin e Fierzës, aktualisht është në punë vetëm një nga katër agregatët. Vendimi lidhet me ruajtjen e rezervës hidrike në kaskadën e Drinit, pasi niveli i ujit në liqenin më të madh artificial të vendit po i afrohet “pikës së vdekjes”, e cila llogaritet në 242 metra mbi nivelin e detit.

Prurjet nga dy degët kryesore, Drini i Bardhë dhe Drini i Zi, janë minimale, jo më shumë se 30 metra kub ujë në sekondë. Ndërkohë, niveli i ujit në basenin e Fierzës ka zbritur në kuotën 264.93 metra, nga 296.5 metra që është kuota maksimale, duke reflektuar një situatë të vështirë hidrike.

Thatësira e tejzgjatur ka ulur ndjeshëm prodhimin vendas të energjisë. Liqeni po tërhiqet përditë rreth digës, ndërsa prurjet e ulëta të lumenjve, të kombinuara me rritjen e kërkesës për konsum, e kanë vënë në vështirësi kaskadën e Drinit, e cila në këtë periudhë shënon rënie të prodhimit deri në nisjen e shirave.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare po alternon prodhimin me hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës, ndërsa për të plotësuar nevojat, është detyruar të importojë energji. Vetëm për periudhën 15–21 shtator, KESH ka blerë 72.236 megavat-orë, me qëllim mbulimin e kërkesës së shtuar dhe kompensimin e prodhimit të munguar për shkak të thatësirës.

Niveli: 264.93 m

Prurjet mesatare: 30 m³/s

Agregat në pune 1. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos