Këshilli i Lartë i Drejtësisë hapi të mërkurën garën për drejtuesin e ri të SPAK, që do të pasojë në këtë pozicion Altin Dumanin. Mbledhja e KLP u zhvillua tre muaj para përfundimit të mandatit të Dumanit, në një sallë ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të ambasadës së SHBA në Tiranë. Me unanimitet votash, 11 nga 11 anëtarë të Këshillit, votuan pro shpalljes vakant të drejtuesit të SPAK dhe nisjen e procedurës së ngritjes në detyrë për zgjedhjen e drejtuesit të ri të kësaj strukture. I vetmi debat i regjistruar për çështjen ishte ai mbi kohën që do t’i lihet kandidatëve për të paraqitur interesin e tyre në KLP. Nga afati minimal 2 javor i parashikuar në ligj, Këshilli i la 21 ditë afat kandidatëve, deri më 8 tetor për të paraqitur interesin dhe platformat në KLP.
Sipas Kushtetutës, kreu i SPAK zgjidhet nga radhët e prokurorëve të kësaj prokurorie, me shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Mandati i tij është tre vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Kjo do të thotë që Altin Dumani nuk mund të rikandidojë për një mandat tjetër në krye të SPAK.
Ndonëse kandidatët kanë tre javë kohë dhe deri më tani nuk është zyrtarizuar asnjë kandidat, emrat më të diskutuar si kandidatë të mundshëm, janë Adnand Xholi, Klodian Braho, Vladimir Mara, si edhe një zonjë, prokurorja Anita Jella.
Bashkë me aplikimin për të qenë pjesë e garës, kandidatët duhet të paraqesin një platformë më shkrim në KLP, e cila duhet të përmbajë dokumentacion që provon ndër të tjera eksperiencën e tyre ne ndjekjen e çështjeve sensitive të korrupsionit dhe krimit të organizuar, aftësitë për organizim e drejtim të një strukture dhe atë të për hartimin e rregulloreve administrative, ndjekjen e çështjeve që kanë marrë vëmendje publike e ndërveprim me median, si edhe vizionin e tyre për organizimin e SPAK. (A2 Televizion)