Paralajmërimi i fortë i Dash Sulës: Do ketë vrasje gjyqtarësh e prokurorësh si në Itali

Nga A2 CNN
17 Shtator 2025, 22:03 | Aktualitet

Ish-deputeti demokrat, Dashnor Sula ka bërë një paralajmërim të fortë në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, kur tha se Shqipëria ndodhet në kushte të tilla, ku mund të vriten edhe njerëz të drejtësisë.

Duke hequr një paralele me historinë e Giovanni Falcones dhe Paolo Borsellinos, që u vranë nga mafia italiane në 92’, ngjarje që hapën një faqe të re për politikën dhe drejtësinë italiane, Sula tha se fatin e ngjashëm mund ta kenë edhe prokurorë e gjyqtarë në vendin tonë.

“Ju e dini që po të mos ishin vrarë fatkeqësisht Falcone dhe Paolo Borsellino, nuk do kishte ndryshuar edhe sistemi i drejtësisë dhe politika në Itali. Dhe sot jemi në kushte të tilla, ku larg qoftë humbja e një jetë të një prokurori apo gjyqtari, por të jeni të sigurt se edhe ai moment do të vijë. Do të vijë mo zotëri. I ka vra politika pra, krimi i organizuar. E vranë gjyqtarin e Vlorës. Kush i ka vrarë të tjerët. Kanë ndodhur edhe ngjarje të tilla të rënda, ku janë vrarë edhe prokurorë edhe gjyqtarë. Janë vrarë pra”, tha Sula në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.

Ndërkohë, ish-deputeti demokrat Asllan Dogjani ndërhyri duke thënë: “Janë vrarë por duhet zbuluar. Pse nuk i zbulojnë. E di sa kam folur unë në Parlament dhe në media për atë Skerdilajd Konomin. Pse nuk e zbulojnë? I kanë të gjitha mundësitë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos