Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka ngritur alarmin për një fushatë mashtruese që po qarkullon përmes SMS-ve të rreme, e njohur si "smishing", e cila synon të mashtrojë qytetarët me gjoba të pavërteta për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Sipas njoftimit zyrtar të AKSK-së, mesazhi përmban një link mashtrues, i cili kërkon nga qytetarët të kryejnë pagesa online për gjoba të supozuara. Më tej sqarohet se ky nuk është një komunikim zyrtar nga institucionet shtetërore dhe qytetarët paralajmërohen të mos klikojnë në asnjë link të dyshimtë dhe të mos japin të dhëna personale.
Autoriteti ka ndërmarrë menjëherë hapat e nevojshëm për të raportuar dhe bllokuar faqen mashtruese, në mënyrë që të minimizohet rreziku për qytetarët dhe të parandalohet çdo dëm i mundshëm.
Ndërkohë, AKSK i bën thirrje publikut që të tregojë kujdes të shtuar dhe të ndjekë këto këshilla:
· Mos hapni linqe të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve ose email-eve të panjohura.
· Mos kryeni pagesa online përmes faqeve që nuk janë të konfirmuara si domaine zyrtare shtetërore.
· Raportoni menjëherë pranë AKSK apo institucioneve përkatëse nëse merrni mesazhe të ngjashme mashtruese.
Po ashtu për çdo rast të dyshuar, qytetarëve u kërkohet që të kontaktojnë AKSK përmes kanaleve zyrtare. (A2 Televizion)