Papa Françesku i ka dërguar një mesazh urimi Kryepeshkopit të ri të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Joanit, duke shprehur shpresat për thellimin e marrëdhënieve mes Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse të Shqipërisë.
Në letrën e tij, Papa ka shprehur afërsinë shpirtërore dhe ka siguruar lutjet e tij që Perëndia të dhurojë dhuratat e Frymës së Shenjtë për udhëheqjen e Kishës Ortodokse.
Papa Françesku ka kujtuar gjithashtu paraardhësin e Kryepeshkopit Joan, Fortlumturinë Anastas, duke theksuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ndihmën e bashkëjetesës paqësore mes grupeve fetare të ndryshme dhe përpjekjet e tij për forcimin e marrëdhënieve mes Kishës Ortodokse dhe asaj Katolike.
Në mesazhin e tij, Papa Françesku ka ftuar Kryepeshkopin Joan të vazhdojë nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit mes kishave, duke kërkuar që të dyja të kontribuojnë në kapërcimin e ndarjeve dhe në kërkimin e bashkimit të plotë mes të krishterëve.
Ai ka theksuar se, në këto kohë të vështira shoqërore dhe të shënuara nga lufta dhe dhuna, është gjithnjë e më urgjente që të krishterët të ofrojnë një dëshmi të bashkimit dhe solidaritetit, për të përhapur mesazhin e paqes dhe dashurisë në botë. (A2 Televizion)