“Shqipëria të jetë një zonë e vetme zgjedhore”, Hasimja tregon detaje nga marrëveshja e opozitës

Nga A2 CNN
21 Prill 2026, 22:52 | Politikë

Drejtuesi i Forumit për Dialogun Politik, Ermal Hasimja, ka dhënë detaje mbi marrëveshjen mes Partisë Demokratike, “Shqipëria Bëhet” dhe LZHK, lidhur me reformën zgjedhore.

Në një lidhje live në emisionin “Off the Record” në A2 CNN me Andrea Dangllin, Hasimja u shpreh se palët kanë arritur dakordësi për pikat kryesore, ndërsa diskutimet vijojnë për disa çështje të tjera.

Ai tha nga propozimet kryesore është ndryshimi i sistemit zgjedhor në proporcional kombëtar, ku e gjithë Shqipëria do të konsiderohej si një zonë e vetme zgjedhore.

“Është rënë dakord në parim me pikat më të rëndësishme, në radhë të parë për një qëndrim të unifikuar të opozitës për të kërkuar një sistem zgjedhor në formën e proporcionalit kombëtar.

Pra, e gjithë Shqipëria një zonë e vetme zgjedhore, për të hequr qafat e proporcionalit rajonal, që është një sistem skandaloz për Shqipërinë dhe ka prodhuar deformime të papranueshme.”, tha Hasimja.

Hasimja, gjithashtu shtoi se tjetër pikë e rëndësishme e marrëveshjes është rritja e numrit të deputetëve në 140, në kundërshtim me propozimin e Partisë Socialiste për një parlament me 100 mandate.

“Nga ana tjetër, një parlament me 140 deputetë, përkundër propozimit të Partisë Socialiste për një parlament me 100 deputetë, i cili do ta privonte parlamentin nga përfaqësimi i partive të reja dhe të vogla.”, shtoi Hasimja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos