Këshilli i Ministrave hapi garën për pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të Institutit të Statistikave (INSTAT), pas përfundimit të mandatit të Elsa Dhulit, e cila qëndron në këtë pozicion që prej 2020-ës.
Drejtori i përgjithshëm i INSTAT-it emërohet nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave, pas një procedure të hapur dhe publike përzgjedhëse.
Drejtori i përgjithshëm i INSTAT-it drejton strategjinë e zhvillimit dhe veprimtarinë koordinuese të institucioneve brenda sistemit kombëtar statistikor, duke siguruar pavarësinë profesionale të tyre.
Afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më 29 gusht 2025.
Kandidatët do të njoftohen individualisht dhe përmes faqes zyrtare të Kryeministrisë për fazat e mëtejshme të procesit, përfshirë verifikimin e kritereve, ankimimet, intervistën dhe datën e zhvillimit të saj, e cila do të bëhet brenda datës 30 shtator 2025.
Lista e kandidatëve të kualifikuar për intervistë do të shpallet brenda datës 22 shtator 2025.
Gjatë intervistës, kandidatët do të testohen mbi njohuritë e tyre në fushën e statistikave, legjislacionin që rregullon administratën publike dhe funksionimin e sistemit statistikor.
Gjithashtu, do të paraqesin një prezantim të shkurtër mbi filozofinë e tyre drejtuese dhe risitë që synojnë të sjellin në këtë pozicion.
Aktualisht, ky institucion drejtohet nga Elsa Dhuli, e cila u emërua në këtë post në nëntor 2020. (A2 Televizion)