Për të pestën ditë më radhë dhjetëra forca të zjarrfikësve, pushtetit lokal dhe forcave të armatosura vijojnë të përballen me zjarret e rëna në malin e Shën Gjergjit në Dukat.
Terreni dhe era kanë favorizuar flakët duke bërë që përpjekjet për izolimin dhe fikjen e tyre të rezultojnë të pasuksesshme, shkruan A2 CNN.
Madje edhe ndërhyrja e avionëve grekë, Canadair, gjatë ditës së martë duket se nuk ka fikur flakët. Mëngjesin e së mërkurës në zonë janë rikthyer operacionet nga ajri me helikopterin kugar, ndërsa 80 efektive të forcave të armatosura të ndihmuara edhe nga rreth 30 forca të bashkisë Vlorë po përpiqen të mos lejojnë afrimin e flakëve pranë staneve dhe banesave në Dukat.
Rrezik mbetet përhapja e flakëve edhe drejt parkut kombëtar të Llogarasë, ku krijimi i një brezi frenues është i pamundur për shkak të terrenit ku vatrat e zjarrit janë aktive. Shpresa mbetet që era të mos favorizojë kalimin e flakëve drejt parkut kombëtar. (A2 Televizion)