Radhë kilometrike në kufirin Shqipëri–Kosovë pas ndalimit të qarkullimit për kamionët në orët e nxehta .Si pasojë e temperaturave të larta që kanë përfshirë Kosovën, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës ka marrë një masë kufizuese që ndalon qarkullimin e automjeteve me peshë mbi 15 tonë në rrugët kryesore të vendit, përfshirë autostradat, rrugët nacionale dhe rajonale, në orarin prej 11:00 deri në 17:00, nga data 23 korrik deri më 28 korrik 2025.
Masat janë ndërmarrë për të mbrojtur infrastrukturën rrugore dhe për të garantuar sigurinë e qarkullimit gjatë orëve më të nxehta të ditës, ku asfaltet dhe materialet ndërtimore të rrugëve pësojnë zgjerim dhe dëmtime nga temperaturat përvëluese.
Por ky vendim ka sjellë pasoja të menjëhershme në kufirin Shqipëri–Kosovë, ku janë krijuar radhë kilometrike kamionësh në pikën e kalimit kufitar ne Vërmicë, pala Kosovare. Kolona e kamionëve nis nga fshati Morinë i Kukësit dhe shtrihet deri në hyrje të Kosovës, duke bllokuar një pjesë të rëndësishme të qarkullimit në atë segment rrugor.
Situata rëndohet nga fakti se pjesa më e madhe e kamionëve janë të ngarkuar me karburant dhe gaz, çka përbën rrezik të shtuar për zjarr për shkak të qëndrimit të zgjatur nën diellin përvëlues të pasdites. Po ashtu, në këtë fashë orari përkon edhe fluksi i shtuar i emigrantëve kosovarë që vijnë për pushime në vendlindje dhe i pushuesve që kthehen nga bregdeti shqiptar, duke shkaktuar kaos dhe vonesa të shumta në anën kosovare të kufirit.
Zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit në Kosovë kanë njoftuar se ky vendim është i përkohshëm dhe do të rivlerësohet në varësi të kushteve klimatike në ditët në vijim. (A2 Televizion)