Sulmi kibernetik nga hakerët ‘Homeland Justice’, reagon Kuvendi: Janë fshirë disa të dhëna

Nga A2 CNN
10 Mars 2026, 17:59 | Aktualitet

Sulmi kibernetik nga hakerët ‘Homeland Justice’, reagon

Kuvendi i Shqipërisë ka konfirmuar sulmin kibernetik nga nga hakerat e 'Homeland Justice'.

Në njoftimin për mediat Kuvendi ben me dije se sulmi që u regjistrua mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00 dhe se një pjesë e të dhënave në disa llogari përdoruesish të administratës është fshirë, raporton A2CNN. 

Kjo nuk është hera e parë që hakerët, të cilët operojnë nën emrin “Homeland Justice”, sulmojnë infrastrukturën e Kuvendit të Shqipërisë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, faqja online e Kuvendit u hakuar gjithashtu nga ky grup, i cili mori autorësinë e veprimit përmes llogarisë së tyre në Telegram.

Reagimi:

Në përgjigje të interesimit të medias, Kuvendi i Shqipërisë informon se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:00, është konstatuar një akses i paautorizuar në infrastrukturën IT të institucionit. Gjatë verifikimeve është vënë re fshirja e një pjese të informacionit në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës.

Vlerësimi paraprak teknik tregon se mund të bëhet fjalë për një sulm të sofistikuar kibernetik, i cili ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme.

Nga analizat e para rezulton se infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur. Faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë dhe sistemet e tjera që mbështesin funksionimin e institucionit vijojnë të funksionojnë normalisht.

Menjëherë pas konstatimit të incidentit janë marrë masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe për neutralizimin e sulmit. Ndërkohë, ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira në llogaritë e përdoruesve.

Për këtë situatë është ngritur një skuadër e përbashkët teknike dhe hetimore që po punon për analizimin e plotë të incidentit, identifikimin e burimit të sulmit dhe rikthimin e të dhënave të prekura. Në këtë proces Kuvendi i Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me institucionet përgjegjëse për sigurinë kibernetike, përfshirë Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Drejtorinë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit dhe Komandën Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes.

Gjithashtu, gjatë këtyre orëve është ofruar mbështetje teknike edhe nga partnerët ndërkombëtarë, me të cilët po vijon komunikimi për vlerësimin e situatës dhe hapat e mëtejshëm.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos