Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi ka nisur procedurën për ndryshimin e pjesshëm të praktikës së njësuar të Kolegjeve të Bashkuara, lidhur me vendimin unifikues të vitit 2011 lidhur me masat e sigurimit personal, veçanërisht për masën “arrest në burg”.
Qëllimi është të sigurohet një praktikë gjyqësore më e njëtrajtshme dhe në përputhje me standardet kushtetuese, ligjore dhe ato të Konventës Evropiane për kufizimin e lirisë personale.
Vendimi është marrë në kuadër të shqyrtimit të një çështjeje penale ndaj shtetasit Begtash Zeneli, i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Sipas dosjes hetimore, në tetor të vitit 2025 policia e Lezhës gjeti dhe sekuestroi rreth 7.35 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa në banesën dhe ambientet e përdorura nga Zeneli. Pas arrestimit në flagrancë, Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë caktoi masën e sigurimit “arrest në burg”, ndërsa Gjykata e Apelit e ndryshoi vendimin duke vendosur “arrest në shtëpi”. Kundër këtij vendimi, prokuroria paraqiti rekurs në Gjykatën e Lartë.
Gjykata e Lartë vlerëson se zhvillimet ligjore pas vitit 2011, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale dhe standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut kërkojnë rishqyrtim të disa prej formulimeve të këtij vendimi.
Në veçanti, do të shqyrtohet nëse gjykatat duhet të analizojnë në mënyrë reale masat alternative ndaj “arrestit në burg”, nëse rrezikshmëria mund të bazohet vetëm në natyrën e veprës penale dhe kujt i takon barra e provës për të justifikuar nevojën e kësaj mase.
Ky vendim shënon gjithashtu ushtrimin për herë të parë, të kompetencës së Kryetarit të Gjykatës së Lartë, sipas nenit 438 të Kodit të Procedurës Penale për ndryshimin e pjesshëm të një praktike të njësuar.
Çështja do të shqyrtohet nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në seancën e caktuar më 9 prill 2026.
(A2 Televizion)