Restaurohet “Karakolli i Çajupit”, ja si ruheshin dhe taksoheshin karvanët në Mesjetë

Nga Rigels Malile dhe Gazmend Janku
10 Mars 2026, 16:08 | Aktualitet

Është i vetmi objekt që i ka rezistuar shekujve dhe vjen i plotë që nga mesi i shekullit të X në zonën e Çajupit në qarkun e Gjirokastrës. Bëhet fjalë për Karakollin e Çajupit, i vendosur në një pikë strategjike vrojtuese me fushëpamje të gjerë në luginën e Çajupit dhe i shpallur monument kulture i kategorisë së parë.

Por çfarë janë karakollët dhe për çfarë kanë shërbyer? “Karakollët janë objekte të fortifikuara të vogla në përgjatë rrugëve të karvanëve. Kryesisht sipas burimeve dhe historike këto ndërtesa janë ndërtuar në periudhën e Mesjetës, në gjysmën e dytë të shekullit të XVIII dhe në fillim të shekullit XIX”, shpjegon për A2 CNN Ardis Duka, drejtor i DRTK, Gjirokastër. “Kryesisht në Gjirokastër është i vetmi monument kulture i kategorisë së parë i kësaj tipologjie që është akoma në gjendje të mirë dhe neve për këtë arsye jemi përpjekur ta ruajmë dhe ta restaurojmë. Këto objekte janë ndërtuar gjatë kësaj periudhe pasi siç dihet në këtë periudhë janë ndërtuar edhe ura edhe rrugë të karvanëve apo rrugë tregtare dhe pikërisht këto objekte janë ndërtuar për të vjelë taksin e rrugës dhe gjithashtu për të fortifikuar dhe për të ruajtur karvanët gjatë periudhës së kalimit në këto akse”.  

Por cilat janë vlerat historike të këtij monumenti? “Ky është i vetmi objekt monument kulture i kategorisë së parë i shpallur në vitin 1987 dhe është i vetmi i këtij kësaj tipologjie i cili gjendet sot në gjendje të mirë. Karakollët e tjerë ka pasur dhe në Shqipërinë e Mesme apo në Shqipërinë e Veriut por të tipologjive të ndryshme, kryesisht në formën e haneve pra fortifikime të haneve apo dhe objekte të fortifikuara në hyrje të urave”, tregon Duka.

Kushdo që ka interes të shikojë nga afër se si kanë qenë pikat e vrojtimit dhe të taksimit të rrugëve të karvanëve në mesjetë, mund ta gjej atë me të gjithë elementët origjinalë në luginën e Çajupit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos