
Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Policia Bashkiake kanë zbarkuar sërish sot në zonën e Lungomares, për të vijuar aksionin e nisur gjatë muajve korrik dhe gusht për lirimin e hapësirave publike.
Ky operacion, i cili pati një valë të parë intensive gjatë sezonit veror, është rikthyer tashmë në qendër të vëmendjes pas konstatimit të rasteve të reja të zënies së hapësirave publike, kryesisht me struktura të paligjshme, tavolina, kioska të improvizuara dhe objekte të tjera që bllokojnë lëvizjen e qytetarëve dhe këmbësorëve.

Sipas informacioneve paraprake, çdo subjekt që nuk pranon të lirojë hapësirën publike brenda afatit të kërkuar do të përballet me masa administrative, gjoba dhe procedura të tjera ligjore. Autoritetet theksojnë se qëllimi i aksionit është garantimi i një hapësire të hapur dhe të aksesueshme për të gjithë, si dhe respektimi i rregullave urbanistike në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit.
Aksioni pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa kontrolli do të shtrihet në të gjithë zonën bregdetare të Vlorës. (A2 Televizion)
