
Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka zhvilluar sot një takim koordinues në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në kuadër të masave për përballimin e situatës që pritet të krijohet nga moti i keq në ditët në vijim. Në fjalën e saj ministrja bëri të ditur se KESH ka analizuar situatën dhe janë marrë masat për situatën e mundshme nga reshjet.
“Shqipëria do të përfshihet nga një fron atmosferik i ulët me reshje me intensitet të lartë. Pritet të nisë sonte në orët e natës, nga ora 1 e mbrëmjes do të kemi agravim të situatës që nis nga veriu dhe përhapet në verilindje. KESH ka analizuar situatën. Për këtë arsye ju bëj me dije se duke nisur nga 11 nëntori KESH ka nisur të ulë nivelet në basenin e Komanit dhe Vaut të Dejës, për të ulur nivelet për shkak të prurjeve të përrenjve. Parashikohen reshjet me intensitet të lartë, kohëzgjatja pothuajse 48 orë. Ndaloj për një moment, në situatën e Fushë Shkodrës, janë marrë masa nga KESH për të dy basenet, për të mbledhur ujin, pa qenë nevoja të hapen portat”, u shpreh Balluku.
Edhe ministri i Bujqësisë, Andis Salla tha se janë marrë të gjitha masat e nevojshme, për të përballuar çdo situatë që mund të krijohet për shkak të motit të keq që pritet të godasë vendin.
“Në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes jemi në diskutim për të gjitha masat e ndërmarra. Kemi vënë në gatishmëri të gjitha strukturat për të qenë prezent në të gjithë territorin. Kemi ndërmarrë masat për garantimin e funksionimit të rrjetit të kullimit, janë ngritur stafet e emergjencave. Janë në dispozicion 8 ekskavatorë në zonën e Shkodrës e Lezhës, 16 janë në Fier, për ndërhyrjet e nevojshme, jemi në bashkëpunim me emergjencat civile”, tha ai.
(A2 Televizion)
