Situata e përmbytjeve dhe dëmeve në bujqësi lidhet drejtpërdrejt me mungesën e mirëmbajtjes së kanaleve kulluese, të cilat sipas ekspertit Ilir Pilku, nuk po pastrohen në mënyrë efektive për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme teknike dhe menaxheriale.
Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, eksperti i bujqësisë Ilir Pilku thekson se rreth 80% e kanaleve kulluese janë në administrimin e pushtetit vendor. Duke ia faturuar përgjegjësinë bashkive, ai thotë se shumica e tyre sikurse ka deklaruar edhe vetë kryeministri Edi Rama nuk kanë vizion dhe plane menaxhimi.
“80% e kanaleve kulluese janë në administrimin e pushtetit lokal. Mos të bëjnë justifikime në media se janë totalisht në buxhetin e tyre. Sesa kanë qenë të aftë të ndërtojnë plane zhvillimi kjo vlen për ta diskutuar dhe mendoj që nuk është bërë e tillë. Nga 61 bashki që kemi 80% e drejtuesve janë politikë dhe nuk janë teknikë dhe nuk kanë asnjë vizion zhvillimi. Dhe vijmë në këtë situatë”, tha ai Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Sipas Pilkut, në Shqipëri shumica e tokave bujqësore kërkon funksionim të hidrovoreve dhe të rrjetit kullues, teksa solli në vëmendje se vetëm 50 ekskavatorë kemi në total nuk mund të pastrojnë 5-6 milionë ton llum që mblidhen në një vit.
“75 mijë hektarë tokë i kemi me gravitet, pjesa tjetër që kërkon funksionim të mirë të hidrovoreve se vetë kanalet kulluese në një vit kalendarik mbledhin 5-6 milionë ton llum e papastërtira, të cilat duhet të pastrohen. 50 ekskavatorë kemi në total, na i ka dhënë banka botërore. Kjo forcë logjistike nuk mund të pastrojë 15 700 km kanale kulluese që ka Shqipëria”, theksoi ai në Off the record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Pilku përmend dëmet e rënda të shkaktuara nga shpërthimi i lumit Seman, ku rreth 500 hektarë sera në zonat e Goricanit dhe Somaticës janë përmbytur. Sipas tij, kulturat ishin mbjellë vetëm pesë ditë më parë, duke e bërë dëmin ekonomik shumë të madh për fermerët e zonës.
(A2 Televizion)