Gazetari i A2CNN, Anesti Barjamemaj, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, u shpreh se nga zjarri në lagjen “5 Maji” dëmet janë të konsiderueshme, “ndoshta miliona euro”.
“Ka më shumë se një orë zjarri në lagjen “5 Maji”. Flakët po shtohen, pavarësisht se forcat zjarrfikëse janë shtuar në numër, flakët po vazhdojnë të djegin një godinë të tërë, ku ka biznese të shumta që po digjen. Sipas banorëve të zonës, ka biznese që shesin tapete, rroba të reja e të përdorura, dhe prej më shumë se një ore po digjet gjithçka”, tha gazetari i A2.
“Banorët janë të tmerruar, thonë se kanë njoftuar njëri-tjetrin për zjarrin, por shumë shpejt zjarri ka marrë përmasa të mëdha. Duket se jo vetëm mallrat, por po digjet e gjithë godina. Sipas tregtarëve, dëmet janë të konsiderueshme, ndoshta miliona euro, pasi janë magazina të mëdha dhe janë aty më shumë se 50 dyqane”, shtoi gazetari. (A2 Televizion)