"Keqqeverisja ka boshatisur Shqipërinë", Genti Kame: Duhet të marrim në dore fatet e vendit

Nga A2 CNN
4 Janar 2026, 13:00 | Aktualitet

Aktori dhe aktivisti Genti Kame deklaroi se Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë politike, ekonomike dhe morale, duke theksuar se protestat nuk synojnë rrëzimin e shtetit, por largimin e një pushteti të korruptuar që, sipas tij, ka kapur institucionet.

“Dëgjoj këto kohë shumë njerëz që megjithëse e konstatojnë që ky vend ndodhet në një krizë shumë të thellë politike, ekonomike, sociale edhe morale të thonë po ç'dan këta që protestojnë? Duan të rrëzojnë shtetin. Jo, ne nuk duam të rrëzojmë shtetin sepse shtet nuk ka. Ne duam të rrëzojmë pushtetin. Bravo. Shtet, shtet i ndërtuar është ai që ka institucione të pavarura. Pushteti i fortë është ai që i ka kapur nëpërmjet një njeriu të vetëm të gjitha institucionet e këtij vendi nëpërmjet besnikëve të tij. Ky është problemi që ne kemi, që na sjell dhe të gjitha të këqijat. Pra, ne jemi këtu për ta ndërtuar shtetin, sepse jemi njerëz të lirë, jemi njerëz profesionistë, jemi njerëz familjarë që duam t'i rrisim fëmijët tanë në një vend normal”, tha Kame në protestë, përcjell A2 CNN.

Në fjalën e tij gjatë protestës, Kame tha se vendi është boshatisur si pasojë e keqqeverisjes, ndërsa gjysma e popullsisë është detyruar të emigrojë. Ai theksoi se shteti i vërtetë ndërtohet mbi institucione të pavarura dhe se Shqipëria ka nevojë urgjente për ndryshim.

“Më e keqja është se gjysma e këtij populli kanë ikur pikërisht prej kësaj keqqeverisje. Ka mbetur vetëm gjysma e tij, por ajo më e vjetra e cila do të iki në 15 deri 20 vitet e fundit nga problemet ekonomike, nga probleme sociale, por edhe nga mosha. 15 vite sa janë miqtë e mi sa janë 15 vite përafërsisht tre palë zgjedhje. E kuptoni se në ç’pikë kemi mbërritur? Duhet të marrim në dorë fatet e vendit. Prandaj ju bëj një thirrje të gjithë qytetarëve të ndershëm, qytetarëve që e duan këtë vend, qytetarëve të ditur, qytetarëve të shkolluar, të flasin, t'u hapin sytë, t'u hapin mendjen të gjithëve. Arsimtarë, flisni se po nuk folët ju, do dëgjohet rrugaçëria në këtë vend. Ushtarak, policë, keni bërë një betim për ta mbrojtur këtë vend, për ta mbrojtur këtë popull. Flisni se po nuk folët ju do flasin tradhëtarët në këtë vend. Inxhinierë, njerëz që e keni ndërtuar këtë vend, flisni se po nuk folët ju do ta shkatërrojnë këtë vend”.

Kame kërkoi largimin e menjëhershëm të qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie tranzitore 12-mujore, e cila të garantojë institucione të pavarura, zgjedhje të lira e të ndershme dhe barazi para ligjit, përfshirë heqjen e imunitetit për politikanët.

“Kërkesat tona janë shumë të thjeshta. Kjo qeveri, ky pushtet i korruptuar duhet të iki menjëherë. Na duhet një qeveri tranzitore 12 mujore pikërisht për të vënë bazat e institucioneve të pavarura dhe të krijojë kushtet për herë të parë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mirë do të ishte që edhe në atë kuvend të miratohej një ligj ku t'i hiqej imunitetit çdo politikani, çdo deputeti të jenë të gjithë të barabartë para ligjit siç jemi ne qytetarët e lirë të këtij vendi”, tha Kame raporton A2 CNN.

Ai u bëri thirrje qytetarëve, profesionistëve, arsimtarëve, ushtarakëve, policëve dhe veçanërisht artistëve e intelektualëve që të ngrenë zërin dhe të angazhohen për të ardhmen e vendit, duke theksuar se është koha që qytetarët të marrin në dorë fatet e Shqipërisë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos