“O të vras unë o më vret ti”, Soko: Arrestimi i avokatit, në Shqipëri gjithçka trajtohet me ekstremizëm

Nga A2 CNN
19 Tetor 2025, 21:41 | Aktualitet

Analisti Pano Soko ka komentuar arrestimin e avokatit pasi ngjarjes në sallën e Gjykatës së Elbasanit, ku pas një përplasjeje mes një prokurori dhe një avokati, ky i fundit, Ulian Bajrami, u arrestua 24 orë më vonë. I ftuar në emisionin Terminal nga Aurora Sulçe në A2 CNN, Soko e cilësoi rastin si një shembull të reagimeve të tepruara që karakterizojnë sistemin shqiptar të drejtësisë dhe vetë shoqërinë.

“Në optikën time, reagimi ka qenë tejet i ekzagjeruar. Mund të kishte vend për një gjobë apo ndonjë masë disiplinore, por jo për arrestim. Më bën çudi fakti që në vendin tonë gjithçka trajtohet me ekstremizëm, duke u anashkaluar hapat normalë të procedurës”, tha Soko.

Sipas tij, rasti në Elbasan tregon një problem më të thellë kulturor: “Shoqëria jonë nuk di të përballet, por antagonizon. Nuk ka debat, ka vetëm përplasje, ose fiton njëra palë, ose tjetra duhet të asgjësohet. Ky është reflektim i një kulture që ka mbetur ende në vitin 1990.”

Soko shtoi se edhe sistemi i drejtësisë, si pjesë e kësaj shoqërie, pasqyron të njëjtin model sjelljeje. “Prokurori në këtë rast ka reaguar në mënyrë të papërshtatshme. Nga ajo që di, seanca ka përfunduar, më pas është bërë kallëzimi penal dhe avokati është ndaluar nga oficeri i policisë me urdhër të prokurorit. Ky është një veprim proceduralisht i diskutueshëm”, theksoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos