Analisti Afrim Krasniqi ka qenë i ashpër me dy institucionet kryesore të pushtetit gjyqësor në vend, Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, sa i përket modelit që po përcjellin trupat që i përbëjnë ato pas reformës në drejtësi.
Krasniqi duke marrë si shembull pozitiv Xhezair Zaganjorin, tha në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN se asnjë nga gjykatësit aktual nuk i afrohet modelit profesional të ish-kreut të Gjykatës së Lartë.
“Unë kam besuar që Shqipëria në tranzicion ka pasur modele pozitive në dy nivele, në nivelin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Ka pasur gjyqtarë kushtetues shumë të mirë edhe nga ata që u larguan nga vettingu. Po ju marr një emër. Shumica e këtyre që janë sot nuk i afrohen modelit profesional të Xhezair Zaganjorit, që ka qenë në atë kohë. Po marr shembullin konkret me marrëveshjen e famshme të detit edhe vendime të tjera dhe unë prisja që këto dy Gjykatat të vendosin norma. Gjykata e Lartë vendos norma për standardet e proceseve, gjë që nuk ka ndodhur dhe të luajë rol lider, gjë që s'ka ndodhur dhe të jetë transparente, gjë që s'ka ndodhur dhe të mos ketë konflikt interesi, gjë që s'ka ndodhur”, tha Krasniqi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.
Më tej Krasniqi shtoi se kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçe, u bë qesharake me kërkesën për Komisionin e Venecias, për të mësuar se kur i përfundonte mandati i saj si drejtuese.
“Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese duhet të ishte modeli i zgjidhjes së mosmarrëveshje mes institucioneve. Ne u ndodhëm në një situatë gati qesharake. Gjykata Kushtetuese nxjerr lajm. Kryetarja pyet Komisionin e Venecias kur më mbaron mandati mua? Kjo është qesharake për një shtet dhe shyqyr që procedura u ndërpre sepse ishte absurde dhe tani ne jemi në një situatë kur Gjykata Kushtetuese nuk di të lexojë Kushtetutën për mandatet e veta. Imagjino pastaj vendos sistem kushtetues sepse ata janë jashtë sistemit të drejtësisë funksionale ditore dhe merren me bazat e shtetit. Merrni Kosovën. Gjykata Kushtetuese po zgjidh krizën në Kosovë me dy vendime. Detyroi parlamentin, detyroi aktorë politikë dhe i zgjidhi krizën. Këtë duhet të bëjë Gjykata Kushtetuese në Shqipëri, të marrë vendime kurajoze që të zgjidh mosmarrëveshjet. Jo të vij e të thotë nuk i zbatojnë dhe të marr pjesë nëpër seminare”, deklaroi Krasniqi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN. (A2 Televizion)