Për analistin Afrim Krasniqi, reforma në drejtësi ka qenë një eksperiment. Në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN ai tha se hartuesit e saj, si dhe klasa politike që e çoi përpara dhe e votoi në Kuvend nuk ishin të bindur nëse do të rezultonte efektive.
“Reformën personalisht nuk e shoh as një sukses, as dështim. E para ka qenë eksperiment dhe vetë fjala eksperiment, unë merrem me studimet politike dhe eksperiment do të thotë është diçka që inshallah na del mirë. Inshallah na del mirë në kuptimin që asnjë vend tjetër nuk e ka”, tha Krasniqi në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
Krasniqi në vijim u ndal tek raportimi i Altin Dumanit në Komisionin e Ligjeve, ku kreu i SPAK tha se çfarë do të ndodhë pas vitit 2028 kur 11 Prokurorëve të Posaçëm ju mbaron mandati.
Sipas analistit e ardhmja e SPAK-ut pas tre viteve duhet të jetë një çështje që i shqetëson të gjitha institucionet.
“Mua më pëlqeu sot paralajmërimi që bëri Dumani. Dumani tha që po ndërhyjnë ndërkombëtarët. Besoj se nga shtetet ndërkombëtare janë SHBA-ja dhe BE-ja. Këta kanë pasur kujdestarinë dhe e kanë kujdestarinë. Por për shembull zoti Dumani sot tha po në vitin 2028 mos gaboj që ju mbaron mandati dhe duhet të merrni masa që tani. Dhe ky është paralajmërimi që duhet të bëjnë. Çdo institucion duhet ta bëjë këtë gjë. Duhet të shoh çfarë ndodh vitin e ardhshëm”, deklaroi ai në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN. (A2 Televizion)