Gjatë diskutimeve në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin për draftin e Kodit të ri Penal, avokati Leonard Karaj zbuloi disa pika për të cilat tha se është i çuditur, e që sipas tij i hapin rrugën ligjërimit të eutanazisë (vdekja e asistuar) dhe ndërrimit të seksit në Shqipëri.
“Ka qenë një burrë me mendje gruaje nga Brukseli që u ka thënë do ta bëni kështu. Dola te eutanazia, neni 43. Ai nen po ta lexoni, duhet lexuar 10 herë që të kuptosh çfarë ka dashur të thotë autori. Ai nen tregon se këtu mund të lejohet eutanazia dhe ndërrimi i seksit. Pra unë e ndiej veten grua dhe mund të vij në Shqipëri e ndërroj seksin. Nga turizëm dentar e kthejmë në turizëm seksual. Dhe kur thashë një burrë me mendje gruaje, që mund të jenë organizata të ndryshme LGBTQ, të cilat për shkak të historisë, duhet të përafrohemi ne me Europën, hajde t’i shtojmë dhe këto. Por jo more zotëri se ti Kodin Penal e bën për Shqipërinë, nuk e bë n për Brukselin, as për Romën as për Parisin”, tha Karaj në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
Tezën e avokatit e mbështeti edhe gazetari Anri Bala, i cili tha se në Shqipëri kanë nisur të mbërrijnë makineritë që realizojnë ndërhyrjet kirurgjikale për ndërrimin e gjinisë. Ai po ashtu nënvizoi se drafti duket i pazbatueshëm në kontekstin shqiptar.
“Ka një mospërputhje totale me praktikën europiane. Është të vësh duart në kokë ky draft i Kodit të ri Penal. Jo vetëm që nuk të thotë asgjë, por ky draft është më turbullues edhe në aspektin e gjykimit të një subjekti që do jetë përballë ligjit. Ky draft është bërë për të prerë organin gjenital e duket sikur është bërë për të ngritur biznese për këto të ndërrimit të seksit. Këtë biznesin e ndërrimit të seksit do e mbajnë këta se i duhet. Nuk e di kush e ka hedhur si ide, por... Këta e kanë kthyer në funksion të tyre Kodin Penal. Nuk besoj se do jetë i realizueshëm”, u shpreh Bala në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN. (A2 Televizion)