Nga mbetjet te muzika, plan i ri për bregdetin, Rama: Ksamili dhe Dhërmiu, tërësisht plazhe publike

Nga A2 CNN
4 Shtator 2025, 14:21 | Aktualitet

Nga mbetjet te muzika, plan i ri për bregdetin, Rama: Ksamili dhe

Plazhi i Ksamilit dhe i Dhërmiut do t’i kalojnë tërësisht në administrim bashkisë. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama në fund të fjalës së tij gjatë aktivitetit për të vendosur piketat e rrugëtimit turistik për Shqipërinë 2030. Duke i konsideruar si plazhe të dhunuar, Rama tha se së shpejti do të publikohet edhe plani i ri për bregdetin.

“Shumë shpejt do të nxjerrim edhe gjithë planin e ri për bregdetin dhe në bashkëpunim me gjithë bashkitë, do të kuptojmë ekzaktësisht se cilat plazhe bashkitë do t’i marrin tërësisht, por dy njëherë janë të sigurta, Ksamilin dhe Dhërmiun”.

Një tjetër problematikë sipas kryeministri është çështja e mbetjeve, ku sipas tij ndotësit më të mëdhenj të Shqipërisë janë shqiptarët dhe jo turistët e huaj.

“Turistë jo anglisht, spanjisht, frëngjisht, italisht folës por shqip folës, nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut. Shqipe që mblidhen për të shijuar bukuritë dhe për të shijuar pushimet që ndalojnë dhe në pikat turistike panoramike, bëjnë dhe selfie “oh sa e mirë je ti moj Shqipëria ime” dhe në të njëjtën kohë shkarkojnë plehrat nga veturat e tyre. Dhe po të shikosh pikat panoramike, po të shikosh pikat ku është e mundur të ndalohet janë dhe pikat ku ka grumbullimet më të mëdha të plehrave të përdorimit personal që hidhen dhe jam i bindur që ndotësit më të mëdhenj janë ulëritësit më të mëdhenj të stadiumit kombëtar, jam i bindur që ndotësit më të mëdhenj janë ta që thyejnë karriget në stadium dhe që synojnë ti kthejnë në luftëra ndeshjet kur ato qëllon që të jenë me Serbinë apo me ndonjë tjetër që këta janë gati ta luftojnë në stadium. Ndërkohë këta janë ndotës të Shqipërisë kur vjen puna tek qëndrimi në plazh”.

Rama tha se qeveria nuk mund të bëjë pastrimin e të gjitha bashkive, por do të bëjnë trajtimin e mbetjeve në nivel kombëtar.

"Ndërkohë trajtimi i mbetjeve sic e kemi thënë është një problem i madh. Qeveria nuk mund të pastrojë Vlorën me gjithë vullnetin dhe dëshirën e të gjithëve ne që Vlora të jetë e pastër, duhet ta pastrojë bashkia. Qeveria s’mund të bëjë pastrimin e qytetit por qeveria do të angazhohet për të bërë trajtimin e mbetjeve e të gjithë qyteteve dhe të gjithë bashkive në nivel kombëtar. Ashtu sikundër kemi folur dhe për furnizimin me ujë dhe nuk po zgjatem".

Një tjetër element që duhet parë përfundimisht për kreun e qeverisë, është zhurma. Sipas tij duhet të ndalojë muzika në Beach Bare, jashtë orarit të plazhit, dhe do të bëhet ridimensionim i numrit të tyre.

“Është tallavaja e beachbar-eve të vendosura jo për të shërbyer, por për stresuar gjithë dynjanë. Zona të tëra të banuara ku 99% e pushuesve nuk janë prezent në ato beachbar-e, 99.99 duhet të vuajë ngritjen e muzikës në kupë të qiellit kështu që ne do ta ndalojmë muzikën. Nuk do ketë më muzikë në beach-bar dhe madje do të bëjmë një ridimensionim edhe me kërkese të kryetareve të bashkive të numrit të beachbar-eve dhe të mënyrës sesi beachbar-et do të lidhen pastaj me shërbimin në tërësi. Se u habitëm fare. Hap beachbar dhe nga beachbar në beachbar është si të kalosh gjithë historinë e Rock and Roll me një volum konkurrues që këtej të bërtet Metalica dhe nga mbrapa të gjëmon ndonjë tjetër. Kështu që edhe kjo duhet parë. Muzika duhet ndaluar plotësisht jashtë orëve të plazhit dhe në orët e plazhit muzika duhet të jetë për ata që shkojnë te beachbar jo dhe për ata që kalojnë te bypass-i i Fierit. Dhe kush do të bëjë muzikë dhe kush do të dëgjojë muzike me zë të lartë deri në 5 të mëngjesit duhet ta ofrojë dhe duhet ta marrë në territore në zona ku nuk është i gjithë qyteti dhe nuk është e gjithë bashkia që duhet të dëgjojë jehonën”.

Rama solli në vëmendje largimin e turistëve japonezë nga Dhërmiu për shkak të muzikës

“Në Dhërmi erdhën për herë të parë besoj sipas statistikave dhe një grup turistesh japonez të cilët u larguan të nesërmen pasi kishin prenotuar 10 ditë, u larguan të nesërmen të terrorizuar nga muzika. Thjesht u larguan. Ja ku është dhe Vangjeli që mezi i priste japonezet, ikën japonezët, morën malet e Shqipërisë dhe u qetësuan lart në Theth”.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos