Lëndohet nga zjarret shefi i komisariatit Delvinë, dërgohet në QSUT, Proda e viziton në spital

Nga A2 CNN
25 Korrik 2025, 20:40 | Aktualitet

Lëndohet nga zjarret shefi i komisariatit Delvinë, dërgohet

Gjatë përpjekjeve për të shpëtuar disa të moshuar nga zjarri në fshatin Vergo të Delvinës është lënduar shefi i komisariatit të këtij qyteti, Komisar Agim Troci. Ky i fundit ka pësuar djegie të shumta dhe është dërguar në repartin e djegieve në QSUT. Mbrëmjen e sotme ai është vizituar nga drejtori i Policisë, Ilir Proda, i cili vlerësoi aktin e tij të guximshëm dhe human dhe i uroi shërim të shpejtë.

“Shefi i Komisariatit Agim Troci është shembulli më i mirë i përkushtimit dhe sakrificës që mishëron një oficer i Policisë së Shtetit. Ai veproi me guxim dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie, për të mbrojtur jetën e të tjerëve”, tha Proda në spital.

Gjithashtu ai vlerësoi edhe punonjësit e tjerë të Komisariatit të Policisë Delvinë që sot kanë rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar nga flakët shumë banorë, pjesa më e madhe të moshuar, në fshatrat e Delvinës, si pasojë e një zjarri të madh të favorizuar nga era, që ka përfshirë shumë zona të banuara.

“Dua të falënderoj të gjithë, përfshirë Nënkomisar Eridionin, i cili ka pësuar asfiksi dhe po merr ndihmë mjekësore në Spitalin e Delvinës, si dhe gjithë punonjësit e Komisariatit të Policisë Delvinë që, nën drejtimin e Komisar Trocit, me përkushtim dhe guxim, mbështetur dhe nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, kanë shpëtuar dhjetëra jetë qytetarësh, duke bërë të mundur evakuimin nga banesat e tyre deri jashtë zonës së rrezikut. Edhe disa punonjës të tjerë kanë pësuar. Ky akt është një shembull frymëzues i përkushtimit dhe humanizmit të efektivëve në krye të detyrës.”

Në zonën e përfshirë nga zjarri, në fshatrat Senicë, Vergo dhe Kopaçëz, vijon ndërhyrja intensive e shërbimeve të Zjarrfikëses, Emergjencës Civile, Policisë dhe Ushtrisë, për neutralizimin e vatrave dhe garantimin e sigurisë së banorëve.

Policia e Shtetit apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht gjatë lëvizjes në zonat me bimësi të dendur dhe në ato të ekspozuara ndaj zjarreve. Çdo veprim i pakujdesshëm, si ndezja e zjarrit në natyrë, hedhja e cigareve apo djegia e mbeturinave, mund të sjellë pasoja të rënda për jetën dhe mjedisin.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos