Rishikimi i kornizës kurrikulare dhe nevoja për përafrimin e saj me standardet europiane, zhvillimet teknologjike dhe sfidat e së ardhmes, ishin në fokus të takimit të Ministres së Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu me ekspertë të fushës së arsimit. Sipas ministres, rishikimi i kornizës kurrikulare është një proces i domosdoshëm që lidhet ngushtë me objektivin strategjik të vendit për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por edhe me nevojën për të garantuar një arsim cilësor dhe praktik për të gjithë nxënësit.
“Nga analiza që ne kemi bërë, e lidhur shumë me praktikën, duke parë se çfarë ka shkuar mirë, çfarë duhet përmirësuar, si jemi ne në raport me vendet europiane ku ne aspirojmë të shkojmë dhe të anëtarësohemi brenda 2030, cilat janë standardet që duhet të përmirësojmë, cilat janë kompetencat që duhet të theksojmë më shumë në kurrikulat tona, si duhet ne që të qasemi në lëndë të ndryshme për peshë specifike në lidhje me teorinë, në lidhje me praktikën, në lidhje me bazën eksperimentale për lëndë që e kërkojnë pikërisht bazën eksperimentale, si ne duhet të nxisim mendimin kritik, si duhet të përmirësojmë punën në grup, si të nxisim imagjinatën, kreativitetin, çfarë duhet të përmirësojmë më shumë në edukimin në vazhdim të mësuesve”, tha Ministrja Manastirliu.
Ajo vuri theksin te nevoja për një qasje të re në programet mësimore, me fokus të veçantë te lëndët STEM dhe balanca mes teorisë dhe praktikës, duke përfshirë laboratorët si pjesë integrale të mësimdhënies.
“Sot ne kemi shkolla të cilat janë të standardeve europiane kur flasim për infrastrukturën shkollore. Sot ne jemi duke investuar në vazhdim për rrjetin e laboratorëve inteligjentë në shkolla. Kemi aktualisht rreth 340 laboratorë inteligjentë, 25 laboratorë të inteligjencës artificiale në shkolla. Brenda 2 viteve të ardhshme, 654 laboratorë inteligjentë i shtohen shkollave tona, duke bërë të mundur që programi i Teknologjisë dhe Informacionit bashkë me programin e kodimit nga klasa e parë dhe në vijim, pastaj rishikimi i kurrikulës, të mundet që të fillojë në të gjithë vendin për të gjithë fëmijët. Sot aplikohet për rreth 35 mijë fëmijë të klasave të para, të dyta dhe të treta. Kemi bërë një punë vërtet të mirë sa i përket laboratorëve të shkencave, kimi, biologji, fizikë në institucionet tona të arsimit parauniversitar, duke i pajisur me mjete didaktike dhe pajisje të nevojshme për ta bërë mësimin shumë më praktik”, u shpreh Ministrja Manastirliu.
Ministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me universitetet publike për zhvillimin profesional të mësuesve dhe pasurimin e kurrikulës me përmbajtje kontekstuale dhe të përditësuar:
“Viti 2024 për ne ka qenë gur themeli, e para sepse përfunduam dokumentin e përmirësuar të kornizës kurrikulare, e dyta sepse zbatuam në një plan të gjerë programin e zhvillimit profesional të mësuesit, ku për herë të parë përfshimë universitetet publike, pedagogët tanë në trajnimin dhe edukimin profesional të mësuesve tanë.”
Në funksion të integrimit europian, ministrja nënvizoi se arsimi duhet të përshkojë të gjitha vlerat dhe kompetencat që BE kërkon nga shtetet anëtare.
“Në raport me procesin historik që Shqipëria është duke ndjekur për anëtarësimin në Bashkimin Europian, tashmë kemi hapur negociatat për tre grup kapituj dhe dy kapitujt ku ne jemi lider, lidhen me shkencën dhe kërkimin shkencor dhe me arsimin, kulturën dhe sportin. Në këtë proces të hapjes së negociatave, ku kemi ambicien t’i përmbyllim në 2027, ne kemi disa detyra që lidhen me standardet dhe përafrimin e tyre me ato të BE-së. Prandaj kurrikulat tona duhet që të paraqesin kompetencat europiane, kurrikulat tona duhet që të lidhen dhe me njohjen dhe vlerat e BE-së, duhet që të nxisin aftësitë ndërkulturore dhe bashkëpunimin rajonal dhe gjithashtu duhet që të përgatisin nxënësit tanë për tregun europian të punës dhe ekonominë digjitale”, deklaroi Manastirliu.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka nisur tashmë një proces gjithëpërfshirës për rishikimin e kurrikulave bërthamë dhe programeve lëndore, duke përfshirë ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, mësues, institucione arsimore dhe partnerë të zhvillimit, me qëllim ndërtimin e një arsimi që i përgjigjet sfidave të së ardhmes. (A2 Televizion)