Maqedonia e Veriut kërkon hapjen e një konsullate në Korçë

Nga A2 CNN
2 Korrik 2025, 17:33 | Aktualitet

Maqedonia e Veriut kërkon hapjen e një konsullate në

Maqedonia e Veriut kërkon që të hapet një konsullatë në qytetin e Korçës. Kështu tha ministri i Jashtëm i vendit fqinj, Timço Mucunski, gjatë një vizite në Pustec.

“Këtu në Pustec kemi komunitetin tonë maqedonas. Kam ardhur me ministrin e Brendshëm dhe pas pak do të na bashkohet edhe ministri i Kulturës. Komuniteti ka kontribuar në shoqërinë shqiptare, ndërsa ne si qeveri duhet të bëjmë më shumë për minoritetin maqedonas në Pustec. Duhet të financojmë projekte sociale dhe kulturore në këtë zonë. Nevojitet një nivel më i lartë konsullor – jo vetëm për pajisjen me pasaporta, por edhe për aspekte të tjera. Javën tjetër do të takohem me kolegun tim Igli Hasani në Ohër. Kemi një marrëdhënie fantastike me të. Gjithashtu, do t’i kërkoj ministrit shqiptar hapjen e një konsullate maqedonase në Korçë”, tha Mucunski, shkruan A2 CNN

I pyetur nëse takimet e Ramës me përfaqësuesit e BDI-së dhe ato të Kurtit me VLEN, shihen si një ndërhyrje në politikën maqedonase, ai tha: “Kryeministrat shqiptar dhe kosovar ishin të ftuar dje në një samit të suksesshëm për agjendën europiane. Mund të them se ishte një samit që shkoi mirë. Aktivitetet politike janë normale kudo. Unë jam një besimtar i demokracisë. Po, kemi zgjedhje pas pak kohësh, ku ne si koalicion qeveritar jemi plotësisht të bindur se do të fitojmë për shkak të punëve të bëra. Jemi një shoqëri multietnike”.

Ministri maqedonas hodhi poshtë pretendimet se Serbia po kërcënon sovranitetin evendit të tij, bazuar në një raport të fundit të Parlamentit Europian.

“Dua të theksoj se politika jonë e jashtme bazohet në tri pika kryesore:

E para janë SHBA-të, takova sekretarin Rubio, kemi një marrëdhënie fantastike.

E dyta është anëtarësimi në Bashkimin Europian.

E treta është anëtarësimi në NATO”, tha Mucunski.

“Nëse ka ndonjë ndikim apo nivel të lartë ndikues, ai vjen nga këto tre aspekte. Nuk dua të flas për teori, por për atë që ndodh në terren. Nuk jam dakord me raportin kur bëhet fjalë për influencë në vendin tonë. Ne jemi një vend sovran, me politika të qarta dhe të orientuara drejt anëtarësimit në BE, si vend anëtar i NATO-s dhe me marrëdhënie shumë të mira me SHBA-të”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos