“Ne po shkojmë të freskohemi këtu te uji!”, na thotë turistja spanjolle teksa i drejtohet një prej shatërvanëve në Sheshin Skënderbej. Kjo është një nga mënyrat për përballimin e temperaturave të larta në kryeqytetin e Shqipërisë. Tirana, ashtu si i gjithë vendi, është përfshirë nga vala e të nxehtit që pritet të vazhdojë për disa ditë.
“Është e rrezikshme, por i mbajmë fëmijët të hidratuar dhe me krem dielli. Vijmë nga Spanja, dhe atje është edhe më nxehtë se këtu”, thotë ajo për A2 CNN.
Një vëzhgim në sheshin “Skënderbej”, rreth orës 12:00, tregoi se shumica e kalimtarëve ishin turistë të huaj, ndërsa shqiptarët mund të numëroheshin me gishtat e dorës. Turistët duken më të gatshëm për të përballuar vapën, ndërsa vendasit preferojnë të qëndrojnë në ambiente të freskëta ose në hije.
Fëmijë që freskohen te shatërvanët, turistë me kapela, ujë në duar, shesh nën vapë. Për një turist nga India, moti në Shqipëri është thuajse i njëjtë me atë në vendin e tij. “Temperaturat këtu janë pothuajse njësoj si në Indi. Po të jenë të njëjtat gradë, nuk përbëjnë ndryshim për ne”, thotë ai.
E kundërta ndodh nëse Shqipëria krahasohet me Anglinë. “Për mua kjo është mrekulli! Në Londër është gjithmonë gri dhe me shi. Këtu ka diell, është jetë”, thotë turistja angleze.
Në rrugët përreth sheshit dalloheshin edhe pensionistë të pajisur me çadra, kapele apo freskues dore. Një i moshuar rrëfen se temperaturat e verës kanë ndryshuar me kalimin e viteve, duke u bërë gjithnjë e më të larta. “Çdo vit bën më shumë vapë. Dikur nuk na lejonin të dilnim nga ora 11 deri në 5 pasdite. Tani njerëzit nuk e ndiejnë më rrezikun”, thotë një pensionist.
Për disa vizitorë nga Belgjika dhe Gjermania, kjo është koha ideale për të pushuar në Shqipëri, dhe vapa mesa duket nuk përbën problem. “Vijmë nga Belgjika. Edhe atje është ngrohtë, por këtu është shumë mirë”, thonë ata. “Këtu është perfekte, krahasuar me Gjermaninë”. Disa prej tyre shtrihen poshtë pemëve për të fjetur apo për t’u ruajtur nga dielli.
Ndërkohë, meteorologia Tanja Porja ka paralajmëruar temperatura të larta deri në 40 gradë edhe për ditët në vijim. “Janë rreth 5 ditë ekstremisht të nxehta për territorin shqiptar”, thotë ajo.
Në fund të fundit, Tirana në korrik është një mozaik mes nxehtësisë përvëluese dhe numrit të lartë të turistëve, një realitet që na kujton se vera në kryeqytet ka fytyra të ndryshme për vendasit dhe për vizitorët. (A2 Televizion)