“Mblesëria për të hequr vajzën qafe dhe për ta çuar te burri”, sociologu tregon faktorët kryesorë

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2025, 09:22 | Aktualitet

“Martesa ka filluar të mos jetë një institucion i qëndrueshëm”. Kështu u shpreh në Dita Jonë në A2 CNN, sociologu Gëzim Tushe, sipas të cilit, kjo ka bërë që krizat e vazhdueshme të martesës të vënë në diskutim universal vlerat e saj.

“Një nga konceptet e gabuara të martesës që na vjen dhe nga tradita është që ne e kemi konsideruar martesën si institucionin e vetëm të seksualitetit dhe të riprodhimit. Këto kanë qenë dy funksionet determinante të traditës për martesën dhe kjo ka bërë që në kohën e sotme ky ekuacion i martesës në funksionet e riprodhimit të ndryshojë dhe në një farë mënyre ka filluar të dominojë kjo martesa e formës moderne, martesa që quhet martesa suedeze, martesa katolike, forma të tjera të martesës të cilat kanë një peshë shumë të madhe në shoqëri”.

Megjithatë, në shumë zona rurale vijon të jetë e pranishme martesa me mblesëri, për të cilat  sociologu Tushe renditi mentalitetin dhe shkaqet ekonomike si faktorin kryesor.

“Një gjë është e sigurt. Një pjesë e madhe e martesave me mblesëri kryen nga motive konservatore. E para për të hequr vajzën qafe, po përdor një term kështu pak pezhorativ sepse duhet çuar te burri sipas konceptit që s'duhet mbajtur gjatë në shtëpi dhe kjo është një nga format kryesore që determinon pastaj ndërmjetësimin për mblesëri dhe e dyta është faktori ekonomik. Në zonat rurale për shkak të statusit që ka femra përgjithësisht në këto zona dhe të problemeve ekonomike që ka familja në zonat rurale është përdorur si një zgjidhje ekonomike. Domethënë në një farë mënyre unë e kam shumë frikë këtë gjë sepse mund të marrë edhe forma të një lloj skllavërimi domethënë të një lloj shitje, të një lloj dhënieje”, theksoi Tushe në A2 CNN.

Sociologu thekson se ndonëse disa martesa me mblesëri kanë funksionuar, niveli më i ulët i divorceve në këto bashkime nuk është tregues i suksesit të tyre. Arsyeja kryesore, sipas tij, është mungesa e lirisë dhe e fuqizimit të grave në zonat e thella rurale, ku shumë gra nuk kanë mundësinë apo guximin të largohen nga një martesë e dhunshme apo e pasuksesshme.

Ndërkohë, martesa me dashuri edhe pse shprehje e emancipimit, përballet me kriza të shpeshta, të lidhura me pritshmëritë emocionale, ndryshimet sociale dhe ndikimin e revolucioneve kulturore.

Sociologu thekson gjithashtu se martesa është mbi të gjitha një lidhje emocionale dhe nëse kjo bie, atëherë të gjitha mekanizmat e tjerë dështojnë dhe divorci bëhet i pashmangshëm.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos