
Reshjet e shumta dhe kushtet e vështira atmosferike kanë sjellë përkeqësim të ndjeshëm të gjendjes së rrugëve në zonat rurale të Bashkisë Maliq dhe njësitë administrative të Pogradecit, duke izoluar dhjetëra banorë dhe vështirësuar qarkullimin.
Në fshatin Dushar raportohen rreth 30 familje të bllokuara, pasi rruga është bërë e pakalueshme. Për një rast emergjent, banorët janë detyruar të ndërhyjnë vetë, duke hapur përkohësisht rrugën për të mundësuar kalimin dhe duke shmangur një situatë edhe më të rëndë, shkruan A2 CNN.
Sipas verifikimeve në terren dhe kontakteve me kryepleqtë, në njësinë Dardhas janë konstatuar problematika serioze:
Në fshatin Stropckë, një lagje është bllokuar nga shembja dheut.
Në Dardhas ka shembje dhe gërryerje të rrugës që kërkon ndërhyrje.
Rruga që lidh Dardhasin me fshatrat e sipërm është bërë e pakalueshme duke izoluar gati 6 fshatra të Gorës. (Osnat, Dërdushë, Niçë, Prenisht, Lekas, Stërkanj)
Në Dërdushë është bllokuar një përrua nga inertet.
Në Osnat, ura pranë lumit është e pakalueshme, ndërsa në dalje të fshatit ka shembje dherash që kërkojnë pastrim.
Në Niçë është bllokuar një urë nga prurjet e shumta dhe është e pakalueshme.
Në Stërkanj ka dëmtime të mëdha të rrugës dhe kalimi mundësohet vetëm me mjete të rënda.
Në njësinë Proptisht nevojitet ndërhyrje me fadromë për hapjen e rrugëve në fshatrat Selishtë, Zall Torrë, Rrodokal Sipër dhe Kriçkovë.
Ndërkohë, në njësinë Çërravë, rruga që lidh Çërravën me Lumasin kërkon ndërhyrje për hedhje çakulli, pasi është dëmtuar dhe vështirëson qarkullimin. (A2 Televizion)
