
Në të gjithë vendin do të jenë 4 qendra të emergjencave civile. Lajmin e dha në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu gjatë një lidhjeje live në emision. Sipas tij po krijohen qendra rajonale të emergjencave civile një në jug të vendit dhe një në veri, përpos asaj në Elbasan dhe në Tiranë.
“Po e ridimensionojmë mënyrën sesi ndërhyjmë. Po krijojmë qendra rajonale të emergjencave civile një në jug të vendit dhe një në veri të vendit. Një në Mengel të Elbasan dhe reparti i emergjencave civile në Tiranë që do mbulojë edhe nevojat për Durrësin. Do kemi 4 qendra me kapacitete autonom dhe fa do të jetë reaguesja fundore”.
Ai tha se FA janë në gatishmëri në mbarë vendin për situatën e përmbytjeve, teksa përmendi edhe ndërhyrjet në infrastrukturë dhe investimet në mjete.
“Jemi në gatishmëri në mbarë vendin. Investimet në diga kanë rezultuar të suksesshme. Hidrovoret kanë funksionuar nevojë për t’u përmirësuar rikualifikimi i kanaleve të ujërave të larta dhe në buxhetin 2026. Kemi fond shtesë për infrastruktura parandaluese të bashkive që bashkitë të përfitojnë e investojnë në kanalet kulluese e të ujërave të larta”
Sipas ministrit të Mbrojtjes, “FA ndërhyn në nivelin e dytë e të tretë kur ezaurohen kapacitetet e një bashkie e qarku. Vitet e fundit ka pasur investime në shumë mjete e pompa dhe është pjesë e detyrës së FA të përgjigjet në çdo rast. FA janë të mobilizueshme sa herë i kërkon. Është detyrë parësore”, theksoi ai. (A2 Televizion)