Misër me aflatoksinë nga Serbia, AKU Shkodër bllokon 75 tonë

Nga Senad Nikshiqi dhe Gazmend Janku
12 Nëntor 2025, 15:15 | Aktualitet

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shkodër ka bllokuar në pikën doganore të Hanit të Hotit një tjetër sasi të konsiderueshme misri blegtoral, i ardhur nga Serbia në vendin tonë. Kjo sasi bllokohet pak ditë pasi AKU kishte konstatuar dhe bllokuar 25 tonë misër blegtoral, të dyshuar me vlerë të lartë aflatoksine, që po tentohej të futej në vendin tonë nga Serbia, shkruan A2 CNN. Në të dy rastet, subjekti që kryente eksportin e misrit blegtoral është i njëjtë.

“Ne kemi bllokuar aktualisht rreth 75 tonë dhe po presim analizimin e tyre”, thotë për A2 CNN Ramir Haderi, drejtor i AKU Shkodër. “Urdhri i djeshëm është që të gjithë produktet që janë nga Serbia, ushqim për kafshë, po trajtohen me bllokim në magazinat e subjekteve. Mund të them që ushqimi për kafshë kishte prezencë aflatoksine, janë rezultate paraprake, presim rezultatet përfundimtare që janë çuar jashtë Shqipërisë për analizim”.

Gjithashtu, AKU e Shkodrës ka bllokuar edhe një fermë në fshatin Trush, pasi nga sistemi i gjurmueshmërisë rezultonte se ajo furnizohej me misër blegtoral nga subjekti i ndaluar në doganë. Janë kryer gjithashtu kontrolle dhe janë vendosur masa paralajmëruese edhe për farmacitë bujqësore që kanë rezultuar me shkelje gjatë zhvillimit të aktivitetit të tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos