Pas një nate dramatike, ku flakët kërcënuan banesa dhe biznese, situata me zjarrin në Himarë paraqitet më e qetë mëngjesin e sotëm. Zjarri, i cili u përhap me shpejtësi në kodrat pranë bypass-it për shkak të erës së fortë, dogji dy banesa dhe vuri në rrezik rreth 40 të tjera, ndërsa flakët përfshinë edhe sipërfaqe me pemëtari.
Terreni i vështirë dhe errësira e bënë edhe më të komplikuar ndërhyrjen, ndërsa autoritetet u kërkuan banorëve dhe bizneseve pranë zonës së rrezikuar të largoheshin për të shmangur pasoja më të rënda.
Gjatë gjithë natës, zjarrfikësit e Himarës, të mbështetur nga mbi 20 mjete të ardhura nga qytete të tjera, punuan për të frenuar avancimin e flakëve drejt zonave të banuara dhe njësive hoteliere. Me zbardhjen e ditës ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri, paralelisht me operacionin që vijon në terren.
Forcat e angazhuara po përqendrohen tashmë në izolimin e vatrave të mbetura dhe shmangien e riaktivizimit të tyre.
Situata aktualisht paraqitet më e qetë dhe, sipas të dhënave nga terreni, nuk ka më rrezik të menjëhershëm për banesat apo njësitë hoteliere. Megjithatë, operacioni vijon deri në vënien e plotë nën kontroll të zjarrit. (A2 Televizion)