Berisha mbërrin në SHBA: Udhëtim i viteve, nuk takohem me Trump

Nga Anesti Barjamemaj
5 Shtator 2026, 09:40 | Politikë

Berisha mbërrin në SHBA: Udhëtim i viteve, nuk takohem me Trump

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke nisur vizitën e tij të parë atje pas shumë vitesh mungesë. Në mesazhin e parë pas mbërritjes, Berisha e konsideroi këtë udhëtim dhe takimin me shqiptarët e Amerikës si një moment me rëndësi të veçantë për të dhe për opozitën shqiptare, ku në dalje të aeroportit e prisnin disa dhjetëra shqiptarë të diasporës.

“Përtej oqeanit, një pritje shqiptare, një moment mirënjohjeje”, shkruan Berisha.

Vizita parashikon një seri takimesh me komunitetin shqiptar dhe përfaqësues të diasporës, me ndalesën e parë publike të dielën, më 6 shtator, në New Jersey.

Takimi me shqiptarët e Amerikës pritet të jetë edhe momenti kryesor politik i kësaj pjese të vizitës, ku Berisha do të adresojë zhvillimet në Shqipëri dhe aksionin e opozitës.

Më pas, agjenda parashikon vijimin e udhëtimit drejt Teksasit dhe takime të tjera gjatë ditëve në vazhdim.

Vizita merr një peshë të veçantë politike edhe për faktin se shënon rikthimin e Berishës në SHBA pas një periudhe të gjatë në të cilën ai nuk kishte udhëtuar drejt vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos