
Deputetët socialistë kanë zbritur në terren për “Praninë Besnike”, nismën e kërkuar nga Edi Rama për të afruar të zgjedhurit me qytetarët. Takimet e para në qarkun e Korçës i kanë vendosur përballë një liste të gjatë problemesh, shumë prej të cilave të mbartura prej vitesh. Pensionet, rrugët, uji i pijshëm, ndriçimi dhe mbështetja për fermerët janë disa prej kërkesave që qytetarët u kanë adresuar deputetëve.
Fjala e Ramës nuk u bë dysh dhe deputetët kanë nisur takimet me qytetarët në kuadër të nismës së re të socialistëve, “Prania Besnike”. Por, ndërsa iniciativa është e re, hallet që qytetarët u shtrojnë të zgjedhurve të tyre mbeten të vjetra: nga pronat te pensionet, nga rrugët dhe ndriçimi, deri tek uji i pijshëm.

Prej 11 vitesh, ky i moshuar kërkon pensionin e plotë të minatorit. Ka punuar 14 vite nëntokë, por sot thotë se ende nuk përfiton pensionin që i takon, edhe pse pretendon se të drejtën e tij e ka fituar edhe në gjykatë.
Në zonat rurale, lista e kërkesave është edhe më bazike: rrugë, ujë të pijshëm dhe ndriçim. Deputetët vijnë e ikin, por banorët nuk harrojnë premtimet. Njëri prej tyre kujton ish-deputeten Blerina Gjylameti, të cilën e akuzon se i gënjeu, ndërsa rruga drejt fshatit Senisht vazhdon ende të jetë një kërkesë e parealizuar.
Mes ankesave ka edhe optimizëm. Një tjetër i moshuar thotë se ende beson se gjërat mund të ndryshojnë dhe do të ishte i kënaqur nëse 70–80 për qind e punëve të premtuara do të realizoheshin.
Takimet e deputetëve janë zhvilluar edhe në Maliq, Korçë dhe Devoll, ku përballë tyre kanë qenë fermerët me kërkesa të tjera konkrete: treg për shitjen e prodhimeve, mbështetje më të madhe dhe rrugë që mundësojnë aksesin në parcelat bujqësore. “Prania Besnike” pritet të vijojë tashmë në të gjithë territorin e qarkut, duke i vendosur deputetët përballë kërkesave dhe problemeve që qytetarët presin prej vitesh të marrin zgjidhje. (A2 Televizion)