Ndërron jetë "prifti rebel" At Nikolla Marku

Nga A2 CNN
20 Korrik 2025, 09:07 | Aktualitet

Ndërron jetë "prifti rebel" At Nikolla Marku

Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar ndarjen nga jeta të At Nikolla Markut, figurës së njohur shpirtërore dhe priftit të Kishës së Shën Mërisë, në Kalanë e Elbasanit.

Ai e cilësoi At Nikolla Markun si “një njeri të rrallë” dhe “udhëheqës shpirtëror që do të mbetet i paharruar”.

“Lamtumirë At Nikolla Marku! Me dhimbje të thellë përcjellim lajmin për ndarjen nga jeta të At Nikolla Marku, një figurë e nderuar shpirtërore dhe një zë i fuqishëm i besimit ortodoks. Për dekada me radhë, At Nikolla Marku ka shërbyer me përkushtim në Kishën e Shën Mërisë, në Kalanë e Elbasanit, duke udhëhequr me urtësi, dashuri dhe qetësi shpirtërore breza të tërë besimtarësh. Ai do të mbetet gjithmonë simbol i përkushtimit ndaj komunitetit, i paepur në mbrojtjen e vlerave fetare dhe kombëtare. U shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve, miqve, besimtarëve ortodoksë dhe mbarë qytetit tonë për humbjen e një njeriu të rrallë! Qoftë i paharruar kujtimi i tij”, shprehet Llatja.

At Nikolla Marku lindi më 3 dhjetor 1948 në qytetin e Elbasanit. I biri i një normalisti të njohur nga Shkolla Normale e Elbasanit, që ishte një nga institucionet themelore të arsimit shqiptar.

Gjatë regjimit socialist, ai punoi si llogaritar në sektorin financiar. Pas rënies së regjimit komunist, ai udhëtoi drejt Greqisë për të ndjekur studimet teologjike, të cilat për arsye të ndryshme nuk i përfundoi atje. Më pas, ai i vazhdoi dhe i përfundoi studimet teologjike në Shqipëri, duke u shuguruar si prift nga Kisha Ortodokse e Maqedonisë.

At Nikolla Marku u përfshi në një përplasje të gjatë dhe të njohur me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, dhe veçanërisht me Kryepeshkopin e ndjerë, Anastas. KOASH nuk e njohu kurrë zyrtarisht si prift dhe e konsideroi vendosjen e tij në Kishën e Shën Mërisë si një uzurpim.

Megjithatë, me mbështetjen e komunitetit ortodoks dhe të besimtarëve të shumtë në Elbasan, At Nikolla Marku mori një vendim gjykate më 18 qershor 1996 (vendimi nr. 2634), i cili e njohu kishën ku ai shërbente si subjekt i ligjshëm kulti.

Që prej vitit 1996, ai vazhdoi të shërbente me përkushtim në Kishën e Shën Mërisë në Kalanë e Elbasanit, duke u kthyer në një figurë të dashur për shumë besimtarë dhe qytetarë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos